Përfundon takimi Kurti-Osmani, kreu i LVV: I përmendëm të gjitha elementet, progresi do shihet pas takimeve me partitë e tjera

02/07/2025 13:45

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se do të bëjë çmos për të arritur konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Kreu i LVV tha se diskutuan “gjerë e gjatë” për situatën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha Kurti.

Ai tha se do të bëjnë çmos që me frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizohet konstituimi, që më pas të kalohet te formimi i qeverisë së re.

Kurti tha se në takim me Osmanin u përmendën të gjitha elementet përbërëse dhe shtoi se pas takimeve që presidentja do të mbajë me liderët e partive të tjera politike, do të kuptohet se sa progres është bërë.

“I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tani zonja presidente do të mbajë takime edhe me përfaqësuesit e partive të tjera politike dhe ndoshta në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë progres dhe nëse po, a është i mjaftueshëm për të arritur konstituimin. Unë besoj që duhet t’ua japim shansin edhe takimeve të tjera dhe në fund të shohim se cili është rezultati për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, u shpreh kreu i LVV.

 

 

Top Channel