U arrestua sot në Francë, kush është Paul Deda? Ish shoqëruesi i Saimir Tahirit, i akuzuar për grup kriminal!

01/07/2025 16:18

Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i 50-vjeçarit shqiptar në Francë.

Rezulton se personi që ka rënë në pranga është Paul Deda, ish-shoqëruesi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Deda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, vepra penale të kryera në kuadër të një organizate kriminale ndërkombëtare.

Kapja e tij u bë e mundur falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tiranës, me homologët në Francë, si pjesë e operacionit të përbashkët “The Wanted”.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, 50-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë, ka tentuar të trafikojë 1 ton e 16 kilogramë Cannabis Sativa, të kultivuar në Shqipëri dhe të transportuar përmes rrugës detare drejt Italisë.

Sasia e madhe e drogës u sekuestrua nga autoritetet italiane në qytetin e Barit, ku gjithashtu u arrestuan edhe 2 persona të tjerë, pjesë e të njëjtës organizatë kriminale.

Për 50-vjeçarin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Interpol Tirana dhe autoritetet franceze po punojnë për finalizimin e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.

 

Top Channel