
Shalqiri dhe pjepri mund të fshehin rreziqe serioze për shëndetin. Ekspertët tërheqin vëmendjen se larja e frutit, edhe pse duket e panevojshme, pasi nuk e konsumojmë lëkurën, është thelbësore për të shmangur helmimin.
Këto fruta rriten në tokë, ku ekspozohen ndaj dheut, pluhurit, ujit të ndotur dhe plehrave, ndërsa gjatë korrjes, ruajtjes dhe transportit mund të grumbullojnë edhe më shumë mikrobe.
Ato kalojnë nëpër duart e shumë personave dhe askush nuk mund të dijë se sa herë janë prekur me duar të palara.
“Kur e prisni një shalqi ose pjepër pa e larë më parë, të gjitha bakteret nga lëkura transferohen përmes thikës direkt te pjesa e brendshme që e hani të gjallë”-shpjegon Dr.Darin Detwiler, profesor i sigurisë ushqimore në Universitetin Northeastern. Dallimi i vetëm mes tyre është se lëkura e pjeprit, për shkak të strukturës së ashpër, mban edhe më shumë papastërti dhe mikrobe sesa ajo e shalqirit, prandaj kërkon larje edhe më të kujdesshme.
Ndryshe nga shumë produkte të tjera ushqimore, këto fruta nuk gatuhen kështu që bakteret si salmonela, listeria apo E. coli mund të mbijetojnë dhe të përfundojnë direkt në organizëm. Simptomat janë nauze, të vjella, diarre, që zakonisht shfaqen disa orë deri disa ditë pas konsumit.
Prandaj, para se t’i ndani në feta, lajini mirë me ujë të bollshëm, fërkojini nëse është e nevojshme dhe thajini me letër kuzhine të pastër. Pasi t’i keni prerë, frutat duhen konsumuar menjëherë ose duhet të ruhen në frigorifer brenda dy orësh, në temperaturë më të ulët se 4 °C dhe të konsumohen brenda 3-4 ditësh./ TAR
Top Channel