Kosovë, zvarritja me “plan”! Ekspertët: Kushtetuesja të sqarojë nëse duhet të garojë pafundësisht kandidatja që s’merr votat

30/06/2025 19:56

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar afatin 30 ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e që skadon më 26 korrik.

Bazuar në deklarimet e deritanishme të partive politike, gjasat janë të mëdha që të njëjtat të mos arrijnë as konsensus për të dalë nga bllokada brenda këtij afati.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, duket se kjo mungesë konsensusi ka qëllim zvarritjen e procesit.

Arbnor Sadiku – analist: “Më shumë i ka konvenuar zvarritja e këtij procesi se sa krijimi i një qeverie të re të pakicës, përderisa e dimë se në më pak se një vit do të jetë koha kur duhet të zgjidhet edhe presidenti dhe natyrisht që janë munduar që ta shtyjnë këtë proces e ta lidhin me zgjedhjet lokale”.

Por, me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Lëvizjes Vetëvendosje si parti e parë i jepet edhe detyrimi për bërë përpjekje për arritjen e këtij konsensusi.

Më 28 qershor partitë u takuan por nuk gjetën gjuhën e përbashkët, kësisoj presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se në ditët në vazhdim do ftojë partitë në takim në përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Demokraci, Eugen Cakolli nuk pret produktivitet nga ky takim.

Eugen Cakolli – hulumtues, KDI: “Edhe ftesën potenciale të presidentes e shoh të duhurën në këtë drejtim por që në kuptim të produktivitetit nuk besoj se do të prodhohet dicka për shkak se partitë janë të barrikaduara, sidomos Lëvizja Vetëvendosje”.

Cakolli shton se Presidentja duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese pas 26 korrikut me kërkesën për sqarime shtesë.

Eugen Cakolli – hulumtues, KDI: “Duhet që presidentja të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese sqarime shtesë mbi pasojat juridike që prodhon kalimi i afatit 30 ditor… Së dyti, presidentja duhet ta adresojë cështjen e konsumimit të së drejtës për të propozuar kryetar dhe të kërkojë nga gjykata se a mundet që kandidatura e njëjtë që rrëzohet me votë të përsëritet pafundësisht herë”.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill. Të martën, për të 40-tën herë tentohet formimi i parlamentit.

Top Channel