Dosja “Partizani”/ Shtyhet seanca e parë e themelit në Gjykatën e Posaçme, Berisha nuk ishte i pranishëm

30/06/2025 10:30

Policia gjyqësore do të trokasë sërish në derën e shtëpisë së ish-kryeministrit Sali Berisha, nën akuzë për korrupsion.

Letra që duhet t’i dorëzohet ish-funksionarit është njoftimi gjyqësor se në datën 21 korrik ka seancën e radhës për dosjen ‘Partizani’.

Fletëthirrja e parë e Gjykatës së Posaçme për ta vënë në dijeni mbi hapjen e procesit të themelit, rezultoi se nuk ishte firmosur prej ish-funksionarit, por nga dhëndri Jamarbër Malltezi që ishte marrë përsipër ta njoftonte edhe Berishën. Por, Malltezi pranoi se nuk e kishte vënë në dijeni  për datën e gjykimit. Edhe për SPAK, edhe për mbrojtjen, kjo do të thotë se ish-kryeministri nën akuzë për korrupsion, nuk e dinte që këtë të në hapej gjyqi.

Gjatë apelit të palëve në gjyqin me tetë të akuzuar, trupa konstatoi se ishin të pranishëm vetëm Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Ndërkohë, i akuzuari Fatmir Bektashi mungonte për shkaqe shëndetësore. Ndërsa shoqëria Homeplan nuk kishte avokat.

Elsa Ulliri: Zoti Malltezi e keni njoftuar të pandehurin Berisha në lidhje me seancën e sotme?

Jamarbër Malltezi: Nuk e kam njoftuar.

Në një shkresë policia bëri me dije se ia ka dorëzuar fletëthirrjen zotit Berisha dhe se ai është në dijeni për seancën e sotme.

Prokurori Arben Kraja: I pandehuri Sali Berisha nuk është njoftuar për seancën e sotme, po ashtu shoqëria Homeplan shpk konstatojmë se nuk ka avokat në sallë.

SPAK kërkoi që seanca të shtyhet dhe të caktohet një datë tjetër dhe pas kësaj u vendos që seanca të shtyhej dhe të mbahej në datën 21 korrik ora 10:30.

Gjykata: Të konsiderohet e pranishme Andia Pustina dhe të mbrohet nga avokatja Klodiana Gjyzari. Gjykata legjitimon avokatët e të pandehurve. Seanca do shtyhet për në një datë tjetër.

Ndërkohë kërkesa për t’u dorëhequr nga çështja e zonjës Elsa Ulliri që sikurse thonë burimet e Top Channel, e ka dorëzuar në datën 9 qershor, nuk është shqyrtuar ende nga gjykata.

Është ende herët për të kuptuar nëse ish-kryeministri do të mbajë të njëjtin qëndrim për mos marrjen e njoftimeve të gjykatës, një moment që konsiderohet i rëndësishëm për shqyrtimin gjyqësor derisa të aprovojë që mori dijeni dhe dëshiron të përfaqësohet nga mbrojtja,

Në një reagim në “Facebook”, ish-kryeministri Berisha u shpreh mbi nisjen e procesit duke e konsideruar politik dhe një piramidë mashtrimi.

Top Channel