“Vëllai i Madh i Trump”/ Presidenti amerikan nënshkruan urdhrin ekzekutiv, nxit debat mbi privatësinë dhe lirinë qytetare

29/06/2025 15:35

Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar tre muaj më parë nga Presidenti Donald Trump ka rikthyer frikën e një shteti mbikëqyrës në Shtetet e Bashkuara, si ai i “Vëllait të Madh”.

I shpërfillur fillimisht në morinë e vendimeve presidenciale, ky urdhër po interpretohet tani si hapi i parë drejt krijimit të një sistemi të centralizuar të grumbullimit dhe profilizimit të të dhënave personale të qytetarëve – një strukturë që, për disa kritikë, ngjan me sistemin e diskutueshëm të “kreditit social” në Kinë.

Në thelb, projekti synon të dhëna fiskale, bankare, shëndetësore, arsimore dhe profesionale, me qëllimin – sipas Shtëpisë së Bardhë – për të “rritur efikasitetin e shërbimeve publike dhe luftuar shpërdorimin”.

Por zërat kritikë, si brenda Partisë Demokratike ashtu edhe në krahun libertarian të republikanëve pro-Trump (MAGA), po paralajmërojnë një ndryshim paradigme të rrezikshëm: një “vëlla i madh” amerikan që monitoron qytetarët dhe krijon profile të sjelljes së tyre për qëllime kontrolli e përjashtimi.

Sistemi kinez i “Kreditit Social” funksionon përmes një sistemi pikësh, duke shpërblyer ose ndëshkuar qytetarët bazuar në “sjelljen e tyre sociale”, qoftë për borxhe të papaguara apo bindje politike. Deri dje, një model i tillë ishte i paimagjinueshëm në Perëndim.

Por tani, me urdhrin e Presidentit Trump dhe ndërhyrjet që pasuan në disa agjenci federale – si rasti i Ministrisë së Bujqësisë që kërkon të dhëna të detajuara për 42 milionë amerikanë që marrin ndihmë ushqimore – kufiri midis efikasitetit administrativ dhe mbikëqyrjes invazive po bëhet gjithnjë e më i paqartë.

Shtysa fillestare për këtë centralizim erdhi nga Elon Musk gjatë kohës së tij në qeveri, duke kërkuar akses të plotë në statusin tatimor të qytetarëve. Edhe pse Musk është larguar nga pushteti, iniciativa jo vetëm që nuk është ndalur, por është përshpejtuar.

Kompania Palantir Technologies, e themeluar nga donatori republikan Peter Thiel, është ngarkuar me ndërtimin e infrastrukturës së re të të dhënave, përmes platformës së saj Foundry – e njëjta platformë që ka bashkëpunuar me agjencitë e inteligjencës dhe Pentagoni-n. Për kritikët, Palantir është “qendra teknologjike e shtetit të thellë”.

Paradoksi më i madh politik vjen nga vetë baza e Trump: aktivistë të njohur MAGA, si Hodgetwins apo Patriot Voice, që tradicionalisht kanë qenë besnikë ndaj tij, tani po denoncojnë një tradhëti ideologjike. “Kjo është e njëjta rrugë që ndoqëm me Aktin Patriot – dhe u penduam,” deklaron ish-kongresmeni Ron Paul, duke paralajmëruar rrezikun e krijimit të një shteti policor dixhital.

Sipas tyre, qeveria po krijon themelet për një sistem ku privatësia individuale nuk është më e garantuar dhe të dhënat personale mund të përdoren politikisht për të ndëshkuar apo përjashtuar ata që nuk i binden vijës së pushtetit.

Mbështetësit e sistemit të ri argumentojnë se qasja e gjerë ndaj të dhënave do të mundësojë shërbime më të mira, kontroll më të rreptë ndaj abuzimeve me fondet publike dhe një luftë më efikase ndaj emigracionit të paligjshëm – veçanërisht në shtetet që akuzohen për keqmenaxhim të fondeve federale, si Kalifornia apo Illinois. Por, siç vejnë theksin shumë ekspertë, SHBA kishte zgjedhur një rrugë tjetër në vitin 1974, kur u miratua Akti i Privatësisë, me moton: më mirë më pak efikasitet, por më shumë liri personale.

Top Channel