
“Ekonomia e Rusisë duhet goditur në mënyrë vendimtare për të ndalur planet agresive të Presidentit Vladimir Putin dhe për të parandaluar pushtime të tjera në të ardhmen”.
Kështu shprehet ish-ministri i Mbrojtjes, Sir Liam Fox, i cili thotë se Perëndimi duhet të përdorë forcën ekonomike si armën më efektive në këtë fazë të luftës në Ukrainë.
“Nuk mendoj se ka një zgjidhje ushtarake për atë që po ndodh në Ukrainë . Por mendoj se ka një zgjidhje në planin afatgjatë.”, shprehet ai.
Pas më shumë se tre vitesh lufte të përgjakshme, shpenzimet ushtarake të Kremlinit e kanë çuar ekonominë ruse në prag të një recesioni të thellë. Rusia, aktualisht, shpenzon më shumë për mbrojtje sesa të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian të marra së bashku – një strategji që në afat të gjatë shihet si e paqëndrueshme.
“Para së gjithash, është shumë më e lehtë të transformosh një ekonomi nga një ekonomi paqeje në një ekonomi lufte sesa anasjelltas. Kjo kërkon shumë para.”, shton ai.
Ish-ministri britanik paralajmëron se Putini mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë europiane dhe se Perëndimi duhet të jetë i përgatitur për çdo skenar, përfshirë një përshkallëzim të mundshëm të krizave globale apo një sulm të drejtpërdrejtë ndaj ndonjë shteti të NATO-s.
Zgjidhja, sipas tij, nuk është vetëm ushtarake. Ndërhyrja ekonomike përmes sekuestrimit të aseteve të Rusisë në Evropë dhe krijimi i politikave që nxjerrin kapital nga oligarkët rusë, mund të dëmtojë direkt fondin e luftës së Moskës dhe të kufizojë aftësinë e saj për të ndërmarrë ofensiva të reja.
Në këtë linjë, propozimet përfshijnë edhe përdorimin e aseteve të ngrira ruse si formë dëmshpërblimi për Ukrainën. Këto fonde vlerësohet të jenë më të mëdha sesa ndihma e deritanishme e dhënë nga SHBA dhe BE ndaj Kievit.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur Rusia përpiqet të përfitojë nga krizat e tjera ndërkombëtare për të shpërqendruar vëmendjen nga fronti ukrainas. Strukturat e sigurisë në Londër besojnë se Kremlini mund të rikthejë në veprim rrjete të fshehta për të destabilizuar vendet lindore të NATO-s përmes sulmeve hibride.
Sipas ekspertëve britanikë, përvoja e Luftës së Ftohtë tregon se mbizotërimi nuk vjen vetëm nga fuqia ushtarake, por nga aftësia për të mbajtur një ekonomi të qëndrueshme dhe më të fortë se kundërshtari. Dhe sot, kjo është mënyra më e efektshme për të frenuar makinerinë e luftës së Putinit.
Top Channel