Përplasja për emigrantët, deputeti britanik pretendon se e ka fituar bastin me Ramën: Të gjithë të burgosurit do i kthejmë!

29/06/2025 17:33

Deputeti britanik Nigel Farage pasi pranoi sfidën e kryeministrit Edi Rama lidhur me emigrantët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, pretendon se e ka fituar ‘bastin’.

Në një reagim të bërë së fundmi në rrjetin “X”, Farage shkruan se 1 në 48 shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, është i burgosur.

Madje ligjvënësi britanik, thotë se do angazhohet për ti dëbuar ata drejt Shqipërisë.

“I nderuar Edi Rama. Në Mbretërinë e Bashkuar ka 53,000 shqiptarë dhe 1,099 prej tyre janë në burgjet tona. Në fakt, kjo është 1 në 48. Do t’i kërkoj Sekretarit të Brendshëm të organizojë që të gjithë këta të burgosur t’ju kthehen. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj”-thuhet në reagimin e tij, në përgjigje të kryeministrit Rama.

Rama reagoi më herët duke thënë se pretendimi i Farage se “një në 50 shqiptarë në Britani janë në burg” është jo fakt, por absurd dhe se’ kjo është një taktikë tipike nga manuali i pas-Brexit-it’.

Kryeministri shqiptar i bëri Farage-it një sfidë publike:“Tani, meqë të dy duket se e çmojmë ‘vullnetin e mirë’ dhe jemi qartazi alergjikë ndaj ‘hipokrizisë’, kam një ofertë: Të sjellim të dy shifrat tona në tryezë. Nëse pretendimi yt “një në 50” qëndron — unë personalisht angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Kjo nuk është një titull konkurrues, është një premtim publik. Por nëse ajo statistikë e frikshme del të jetë thjesht karburant tabloidesh, nuk të kërkoj ndjesë. Asnjë dramë. Në vend të kësaj, do të vish në Shqipëri — si i ftuari im i nderit”.

Top Channel