Statuja më e madhe në botë/ Në Spanjë po mendohet ndërtimi i monumentit gjigant të Krishtit, do ia kalojë dhe atij në Rio

28/06/2025 14:07

Një organizatë e krishterë në Spanjë ka nisur një projekt gjigant për të ndërtuar statujën më të madhe në botë të Krishtit, duke kapërcyer për nga përmasat ikonën braziliane “Christ the Redeemer” në Rio de Janeiro.

Grupi fetar nga Boadilla del Monte, një qytet pranë Madridit, ka zbuluar planet për një monument të ri të Zemrës së Shenjtë të Jezusit që do të jetë 37 metra i lartë dhe 60 metra i gjerë – duke e bërë atë statujën më të madhe të Krishtit në botë nëse përfundon siç është planifikuar.

E quajtur “Statuja e Zemrës së Shenjtë të Jezusit”, monumenti do të përfshijë një zemër tabernakulli prej 2.5 metrash në qendër, ndërsa trupi dhe koka do të ndërtohen me beton të përforcuar dhe krahët nga fibra karboni, shkruan “Independent“.

Statuja është projektuar nga skulptori Javier Viver, i njohur për punën e tij me imazhet fetare, dhe pritet të jetë një vend pelegrinazhi ndërkombëtar. Vizitorët do të mund të hyjnë brenda strukturës, që synohet të hapet në qershor të vitit 2030, nëse financimi plotësohet me sukses.

Deri më tani, janë mbledhur mbi 94,000 euro, ndërsa objektivi total i projektit është 17 milionë euro – shifër që do të financohet përmes donacioneve nga individë në mbarë botën.

Asociación de Devotos del Corazón de Jesús de Boadilla, organizata pas këtij projekti, tha se shumë banorë kanë kërkuar ndërtimin e statujës në bashkinë e tyre. Plani është miratuar pa kundërshtime nga asnjë grup politik lokal në një seancë të këshillit bashkiak më 15 nëntor 2019.

Por jo të gjithë janë dakord. Disa banorë dhe politikanë e kanë kritikuar projektin si një shpenzim i tepruar, veçanërisht në një kohë kur Spanja përballet me një krizë të thellë të strehimit.

Alessandra del Mónaco, përfaqësuese e Partisë Socialiste, tha se është e papranueshme që tokë e vlefshme t’i jepet një projekti luksoz, ndërkohë që njerëzit luftojnë për të siguruar një banesë.

Në rrjetet sociale, kritikët e kanë cilësuar monumentin si “një park tematik dhe jo një vepër shpirtërore”, duke kërkuar që fondet të orientohen në spitale, arsim dhe ndihmë sociale.

Në përgjigje të kritikave, përfaqësuesja e projektit Ana María tha për The Independent: “Ky nuk është një luks apo një gjest dekorativ, por një ftesë e guximshme për shpresë në një kohë të zhgënjimit dhe polarizimit.”

Ajo theksoi gjithashtu se 10% e fondeve të mbledhura do të shkojnë për bamirësi, ndërsa qëllimi kryesor është të krijohet një hapësirë reflektimi dhe bashkimi shpirtëror që do të sjellë dobi të shumëfishta për komunitetin dhe përtej tij.

 

Top Channel