Incidenti në Lezhë/ Policia: I riu pa leje drejtimi i rrezikoi jetën, efektivi qëlloi me armë gomën e mjetit! AMP nis hetimin

28/06/2025 15:16

Tentativa e një 26-vjeçari për t’i shpëtuar policisë, rrezikoi jetën e efektivit që i kërkoi të ndalonte dhe të qytetarëve përreth.

Sipas Policisë së Lezhës, ngjarja ndodhi rreth orës 12:00, në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në vendin e quajtur “Gajush”, kur blutë i bënë shenjë për ndalim automjetit.

“26-vjeçari rezultoi se drejtonte automjetin me leje drejtimi të hequr për një shkelje të mëparshme dhe gjatë komunikimit të punonjësit të policisë për ta shoqëruar për veprime të tjera në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ai ka refuzuar t’i bindet urdhrave të ligjshëm të punonjësit të policisë dhe me veprimet e tij për t’u larguar, ka paraqitur rrezik qartësisht të dukshëm për jetën e punonjësit të policisë, i cili, në kushtet e rrezikut të drejtpërdrejtë, real dhe të çastit dhe me qëllim parandalimin e një pasojë më të rëndë, përdori armën e shërbimit duke qëlluar në gomën e automjetit që drejtohej nga shtetasi J. D., duke bërë të mundur ndalimin e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një armë e ftohtë pa leje nga organet kompetente”, njofton Policia e Lezhës.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi J. D., dhe pasagjeri që ndodhej me të, shtetasi E. S., 20 vjeç, të dy banues në Lezhë, janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ku ndaj drejtuesit të mjetit po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ka nisur hetimin për rastin.

Top Channel