Vendim i ri në Bundestag, Gjermania pezullon ribashkimin familjar për refugjatët pa status azili

27/06/2025 17:00

Bundestagu gjerman ka miratuar të premten një projektligj të propozuar nga CDU/CSU dhe SPD, që parashikon pezullimin për dy vite të ribashkimit familjar për refugjatët që nuk kanë status të plotë azili – veçanërisht ata që vijnë nga vende të përfshira nga lufta civile.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt (CSU), e justifikoi këtë hap si një masë për të luftuar rrjetet kriminale që përfitojnë nga emigracioni.

“Ne po shkatërrojmë modelin e biznesit të bandave kriminale,” deklaroi ai gjatë një debati të nxehtë në Bundestag. “Sipas këtij modeli, mjafton që një person të mbërrijë në Gjermani dhe më pas të sjellë gjithë familjen.”

Dobrindt parashikon që kjo masë do të reduktojë me rreth 12 mijë numrin e njerëzve që vijnë çdo vit në Gjermani. Qëllimi është të shmanget mbingarkesa e sistemit dhe shoqërisë gjermane nga fluksi i lartë i migrantëve.

Pezullimi prek anëtarët e familjes së përfituesve të mbrojtjes plotësuese – persona që nuk janë njohur si refugjatë sipas Konventës së Gjenevës, por që lejohen të qëndrojnë në Gjermani për arsye humanitare, si kërcënimi për torturë apo dënim me vdekje në vendin e tyre.

Debati në parlament u shoqërua me tensione të larta. Deputetë të Partisë së Majtë dhe të Gjelbërve reaguan ashpër ndaj deklaratave të ministrit, duke e akuzuar për gënjeshtra. Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner, ndërhyri disa herë për të qetësuar sallën, duke i kërkuar opozitës të ruajë qetësinë.

Politikanët e Partisë së Gjelbër dhe të Majtës kritikuan ashpër ligjin e ri, duke e konsideruar si një sulm ndaj humanizmit dhe integrimit. “Sot po votoni kundër çdo politike të besueshme integrimi,” tha deputetja e të Gjelbërve, Schahina Gambir.

Gjermania nuk është e vetme në këtë drejtim. Austria kishte marrë një vendim të ngjashëm në muajin mars, duke ndaluar ribashkimin familjar për të njëjtën kategori refugjatësh.

Top Channel