
Spiro Kostandini i drejtohet Fiks Fare pasi nuk mbaron dot punë në Gjykatën e Vlorës.
Z. Spiro ankohet se ka bërë një gjyq për të anuluar një faturë nga Ujësjellësi Vlorë, ku duhet të paguante 34 mijë lekë ujë. Këtë për ambientin që kishte dhënë me qira. Sipas z. Spiro, debitor nuk është ai, por qiramarrësi.
Për këtë problem ai iu drejtua Gjykatës Vlorë, ku kjo e fundit i dha të drejtë. Por ajo që nuk po bën gjykata është se nuk po zbardh vendimin e formës së prerë, gjë që mund të sjellë ndërprerjen e ujit nga ana e ujësjellësit.
Vendimi i formës së prerë është marrë më 16 tetor 2024 dhe brenda 10 ditëve ai duhet të zbardhet, por në rastin konkret kjo nuk ka ndodhur.
“Kam shkuar mbi 5 herë, më mbajnë shënim emrin dhe asgjë, ndërkohë që unë atë vendim duhet t’ia paraqes UK Vlorë për mosndërprerjen me ujë të pijshëm”, shprehet për Fiksin Spiro Kostandini.
Fiksi, bashkë me qytetarin, iu drejtua sportelit të Gjykatës Vlorë, ku në sportel pyetën për zbardhjen e vendimit.
Qytetarit i thanë që ende nuk është zbardhur dhe se do ta telefononin. Ndërkohë, kur shkon Fiksi, punonjësja i përgjigjet se kjo situatë ka ndodhur për shkak të ngarkesës së madhe që ka gjykata. Nga ana tjetër, punonjësja e arkivës më pas sqaron se ujësjellësi është njoftuar nga gjykata me anë të një komunikimi vendimi që mban datën 19 nëntor 2024, duke qetësuar kështu z. Spiro se nuk do të ketë asnjë masë nga Ujësjellësi Vlorë.
Pas disa çastesh, qytetarit në prani të Fiksit i jepet edhe vendimi i zbardhur që mban datën 22 janar 2025.
Pra, Gjykatës Vlorë iu desh të zbardhte një vendim të formës së prerë për 3 muaj, për një rast kaq ‘banal’, siç shprehet edhe vetë Spiro.
Top Channel