Rrahu barbarisht shefin e njohur të kuzhinës së bashku me vëllanë/ Kush është Donald Luka, sot i vendosën lëndë plasëse në dyqan

27/06/2025 11:40

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Fushë-Krujë

Lënda plasëse i është vendosur dyqanit në përdorim të 30-vjeçarit Donald Luka në aksin Fushë Krujë-Derven.

Nga shpërthimi raportohet se ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa ende s’dihen autorët e ngjarjes.

Mbrëmjen e 19 Marsit 2022, Donald Luka në bashkëpunim me vëllanë e tij, Ernest Luka, kanë dhunuar Indrit Çelën, shef kuzhine i njohur në Tiranë në zonën e quajtur “Ura e Gjolës”.

Indrit Çela udhëtonte me makinën personale në këtë aks, kur dy persona i zunë pritë, duke e goditur me sende të forta. Autorë të ngjarjes ishin dy vëllezërit Ernest dhe Donald Luka.

Kuzhinieri i njohur është qëlluar me shufra hekuri nga vëllezërit që i kishin bllokuar rrugën mbi “Urën e Gjolës” në Fushë-Krujë.

Indrit Çela arriti të shpëtonte nga duart e vëllezërve me ndihmën e kalimtarëve.

Dyshohet se Ernest dhe Donald Luka kanë pasur konflikte të hershme me kuzhinierin.

Ndërkohë më parë Ernest Luka përfundoi në pranga bashkë me babanë e tij, Llesh Luka, 57 vjeç, për kultivim të lëndëve narkotike.

Operacioni i koduar “Derveni”, emri i fshatit ku banojnë të arrestuarit, sekuestroi një sasi prej 316 fidanë të bimës narkotike kanabis sativa.

Policia sqaroi se bimët po rriteshin me llamba në një stallë që ishte përshtatur për këtë qëllim.

Top Channel