
Të gjitha pronat e sekuestruara dhe të konfiskuara nga Policia e Shtetit nuk u kthehen më ish-pronarëve, pasi ato janë përfituar në mënyrë të paligjshme nga bota e krimit.
Këto asete mund të përdoren nga komuniteti për kauza të mira. Në vitin 2024, vlera e aseteve të sekuestruara ishte 27 milionë euro, ndërsa vlera e pronave të konfiskuara ishte 4 milionë euro.
Sipas raportit vjetor të AAPSK-së, pjesa më e madhe e aseteve të konfiskuara janë pasuri të paluajtshme, si apartamente dhe tokë truall. Një shtëpi apo një tokë e blerë me para që vijnë nga trafiku i lëndëve narkotike apo prostitucioni, mund të kthehet në një qendër sociale që i shërben të gjithëve.
Risena Xhaja, Kryeadministratore e AAPSK-së: “Agjencia ka vendosur të bëjë një thirrje për organizatat që të shpalosin idenë e tyre se çfarë mund të bëhet me pronat e sekuestruara. Kjo është në vijim të gjithë punës që ka bërë agjencia, duke i inventarizuar të gjitha pasuritë dhe duke i bërë të hapura për këdo që vlerëson se duhet t’i marrë në përdorim.”
T’i marrësh pronën një personi apo grupi kriminal kërkon guxim. Pavarësisht kësaj, deri më tani vetëm një pronë është arritur të administrohet nga shoqëria civile – dikur tokë e një personi që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, sot është kthyer në një qendër didaktike me agrume.
Pronat e konfiskuara kalojnë në pronësi të shtetit, i cili më pas mund të prodhojë të ardhura financiare që administrohen nga agjencia përkatëse.
Top Channel