
Ish-prokurori Arjan Ndoja ka rrëfyer sot në sallën e gjyqit në GJKKO lidhur me ditën që iu bë atentat, më 1 nëntor të vitit 2021.
Ndoja, aktualisht deputet i zgjedhur i PD-së, tregon gjithë itinerarin e asaj dite nga atentati që i mori jetën shoferit të tij Andi Malokut.
Ai tregon se ka qenë ulur në vendin e parë, ndërsa pas ishte ulur Pëllumb Muharremi. Ndoja ka deklaruar se është qëlluar me dy armë, ndërsa në sediljen e tij kanë qenë 13 predha.
“Ditën e atentatit kam dal si çdo ditë në orën 7 dhe në 8 kam qenë në Durrës, direkt në zyrë. Në orën 12 e gjysmë dola, pas një telefonate, te restorant ** për drekë me disa miq. Unë kam shkuar aty me mjetin tim. Në drekë ka qenë Aleksandër Laho, unë e njoh si Pëllumb Muharremi, pasi kështu e kam njohur kur isha avokat. Ka qenë Enver Shaba. Në drekë kemi ndenjur 2 orë e gjysmë, 3. Kur dolëm, Pëllumb Muharremi kishte një makinë dhe kemi ikur bashkë pasi bëra muhabet. Makina ka qenë e parkuar para lokalit, e dukshme. Drejtues mjeti ka qenë Andi Maloku, unë kam qenë në vendin e parë dhe pas Pëllumb Muharremi.
Në dalje të lokalit ka pasur persona, ne kemi qenë 4 veta duke bërë muhabet, kalonin njerëz por nuk me ka ngelur ndonjë në mendje nga ata që kalonin aty. Nga ura Dajlanit, kemi ikur në mbikalim, kemi vazhduar rrugën, sa kemi kaluar karburantin nisën të shtënat, në fillim se kam kuptuar. Plumbat fillimisht vinin nga pas dhe ka qëlluar në distancë. Nuk kemi arritur ta shohim makinën. Të shtënat kanë qenë të diferencuara, me plumb tek dhe jo vetëm, por jo në breshëri. Kanë qenë dy armë. Vetëm në sediljen time kanë qenë 13 predha. Të shtënat kanë zgjatur rreth 10 sekonda.
Pas të shtënave u ul shpejtësia nga i ndjeri dhe dolëm nga rruga. Unë tentova të dal nga makina humba ndjenjat nga një plagë dhe më pas u zgjova dhe me çuan në spital. Të tre u plagosëm. Personi që kishte pas mori plagë. Shoferi, i ndjeri kishte një plumb pas në shpinë. Mori në telefon të atin, filloi të dal nga makina dhe ndjeu që ishte rëndë”-rrëfeu ish-prokurori.
Top Channel