
Ministri i Jashtëm i Iranit ka pranuar se në centralet bërthamore të vendit janë shkaktuar dëme “të shumta dhe serioze” në bombardimet e fundit të SHBA-së dhe Izraelit.
Abbas Araghchi i tha një transmetuesi shtetëror të enjten në mbrëmje se një vlerësim i dëmit po kryhet nga Organizata e Energjisë Atomike e Iranit.
Por, vetëm disa orë më parë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se sulmet nuk e prishën programin bërthamor të vendit. Khamenei po i përgjigjej pohimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump se bombat kishin “shkatërruar plotësisht” tre centrale bërthamore.
Khamenei tha se sulmet e SHBA-së nuk kishin arritur të “dëmtonin asgjë domethënëse”.
Udhëheqësi suprem, i cili është fshehur që nga fillimi i luftës me Izraelin më 13 qershor, këmbënguli se Trump e kishte “ekzagjeruar” ndikimin e bombave dhe shpalli fitoren ndaj SHBA-së dhe Izraelit.
Ministri i jashtëm tha se nuk kishte plane për të rifilluar bisedimet bërthamore me SHBA-në. Irani anuloi një raund të gjashtë të planifikuar bisedimesh kur Izraeli filloi sulmet e tij. “Dua të deklaroj qartë se nuk është arritur asnjë marrëveshje, apo bisedë për të filluar negociata të reja“, tha ai.
Një vlerësim paraprak i Pentagonit, minimizoi rëndësinë e dëmit dhe tha se sulmet amerikane e vonuan programin bërthamor të Iranit vetëm me disa muaj. Rrjedhja e informacionit është hedhur poshtë nga administrata.
Top Channel