
Pas 12 ditësh luftimesh midis Iranit dhe Izraelit, dhe sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane nga Shtetet e Bashkuara, një armëpushim është në fuqi.
Por si shpërtheu kjo luftë midis armiqve të betuar dhe çfarë mund të vijë më pas? Më 13 qershor, Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit dhe objekte bërthamore e ushtarake. Disa ditë më vonë, kanali televiziv shtetëror iranian u ndërpre nga transmetimi kur ndërtesa e tij u godit nga një sulm izraelit.
“Objektet tona paqësore bërthamore janë shënjestruar gjithashtu pavarësisht se janë nën monitorim të plotë dhe pavarësisht faktit se sulmet ndaj objekteve të tilla janë absolutisht të ndaluara sipas ligjit ndërkombëtar”, shprehet ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Irani iu përgjigj duke qëlluar raketa në Izrael disa prej te cilave kaluan mbrojtjen ajrore dhe goditën zonat civile edhe spitalin Soroka në Beersheba, ku të paktën 40 persona u plagosën.
“Ende nuk mund ta besoj atë që ndodhi, është vërtet e trishtueshme”, shprehet Ëassim Hin.
Izraeli tha se e filloi luftën me qëllim që të shkatërronte programin bërthamor të Iranit, duke pretenduar se Teherani po zhvillon një armë bërthamore.
“Ne goditëm në zemër të programit të pasurimit bërthamor të Iranit. Ne goditëm në zemër të programit të armatimit bërthamor të Iranit”, deklaroi kryemnistri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Irani ka mohuar të ketë ndërtuar koka bërthamore. Ndërsa nivelet e pasurimit të Teheranit tejkalojnë një marrëveshje bërthamore të vitit 2015, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se ato mbetën nën nivelin e armëve.
“IAEA mund të garantojë, përmes një sistemi inspektimi të papërshkueshëm nga uji, se armët bërthamore nuk do të zhvillohen në Iran”, thotë Rafael Grossi, Drejtor i Përgjithshëm i IAEA.
Më 22 qershor, SHBA-të kryen sulme ajrore në tre objekte bërthamore iraniane, përfshirë një qendër nëntokësore të pasurimit të uraniumit. Trump pretendon se centralet bërthamore të Iranit u “shkatërruan”, por inteligjenca amerikane tani sugjeron se kjo e vonoi programin bërthamor të vendit vetëm me disa muaj.
“Ky krim dhe shkelje e dinjitetit nuk do të mbetet pa përgjigje – me hir të Zotit”, tha Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të forcave të armatosura të Iranit.
Një ditë më vonë, Irani u përgjigj duke lëshuar raketa balistike në Bazën Ajrore Al Udeid në Katar, objekti më i madh ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme. Lëshimi u sinjalizua shumë kohë më parë, duke u dhënë forcave amerikane dhe të Katarit kohë për të kapur shumicën e raketave. Pak më vonë, Donald Trump njoftoi një armëpushim. Rreth kohës kur armëpushimi do të hynte në fuqi, Irani lëshoi një valë të fundit raketash që goditën qytetin e Beershebas, duke vrarë katër persona. Izraeli akuzoi Iranin për shkelje të armëpushimit dhe goditi një objektiv në Teheran, por u përmbajt nga sulme të mëtejshme pas një telefonate midis Benjamin Netanyahut dhe Trump.
“Ata e shkelën marrëveshjen, por edhe Izraeli e shkeli. Sapo bëmë marrëveshjen, ata dolën dhe hodhën një sasi bombash si asnjëherë më parë. Ngarkesa më e madhe që kemi parë ndonjëherë. Nuk jam i kënaqur me Izraelin. Kur them, mirë, tani keni 12 orë, nuk dilni në orën e parë dhe thjesht hidhni gjithçka që keni mbi ta. Në thelb kemi dy vende që kanë luftuar aq gjatë dhe aq fort, sa nuk dinë më çfarë dreqin po bëjnë. E kupton këtë?”, kështu u shpreh presidenti i SHBA, Donald Trump.
Për momentin, armëpushimi i propozuar nga SHBA-të midis Izraelit dhe Iranit duket se po mbahet.
“Mendoj se për momentin kemi arritur të shmangim një përshkallëzim të madh rajonal apo një luftë rajonale. Sigurisht, gjërat mund të ndryshojnë. Nëse Izraeli kryen një goditje tjetër, jo domosdoshmërisht ndaj Iranit, por le të themi ndaj përfaqësuesve iranianë, atëherë mund të shohim ndonjë lloj hakmarrjeje. Por për momentin, mendoj se kjo ishte një rrugëdalje që Irani e dëshironte dhe e kishte shumë nevojë, dhe realisht nuk ka asnjë interes për të rifilluar këtë konflikt”, u shpreh Jonathan Panikoff, Drejtor, Iniciativa e Lindjes së Mesme.
Top Channel