
Përkundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, as seanca e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk prodhoi asnjë rezultat.
Kësisoj, pas një konsultimi të thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, u arrit dakordimi që të ndërpritet seanca dhe të vazhdohet të dielën pas takimit të partive politike të shtunën.
Takim ky i thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që obligon partitë për të gjetur konsensus për të konstituuar Kuvendin.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar të gjitha partitë, megjithëse tre partitë kryesore nuk presin rezultate nga ky takim, edhe për shkak të interpretimit që Lëvizja Vetëvendosje po i bën aktgjykimit të Kushtetueses.
Partia e parë insiston se votimi i fshehtë nuk e shkel Kushtetutën, e kësisoj Albulena Haxhiu tha se, nëse nuk i merr 61 vota, do të hapë rrugë për një kandidaturë tjetër.
Albulena Haxhiu, deputete, LVV: “Në rastin e votimit fshehtë, kur votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç e ka kërkuar edhe Gjykata Kushtetuese, ashtu si ka obliguar edhe Gjykata Kushtetuese, nëse unë si kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i marr së paku 61 vota, tërhiqem nga kandidatura për kryetare të Kuvendit.”
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk marrin pjesë në votimin për komisionin e fshehtë, sepse është shkelje kushtetuese.
Përparim Gruda, deputet, PDK: “Në momentin që është ndërruar rendi i ditës, me kalu në votim të fshehur, ne nuk kemi pse votojmë në një vendimmarrje që është jokushtetuese.”
Hykmete Bajrami, deputete, LDK: “Nuk mund të marrim pjesë në këso votime në një rend të ditës që është gatuar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, e që nuk është as pjesë e aktgjykimit dhe as pjesë e rregullores së Kuvendit të Kosovës.”
Ramush Haradinaj, deputet, AAK: “Ne nuk themi që të mos merret pjesë në votim, por po themi që, nëse duhet votë për me e kthyer votën siç ka qenë praktika e votimit, edhe Gjykata Kushtetuese mund ta ndihmojë që votimi të bëhet i hapur.”
Të enjten, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin që i obligon deputetët që për 30 ditë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës – në këtë rast, deri më 26 korrik.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill.
Top Channel