Khamenei sfidon SHBA-në: Nuk arritën asgjë me sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane

27/06/2025 08:08

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka hedhur poshtë pretendimet amerikane për dëmtim të programit bërthamor iranian, duke deklaruar se SHBA-të “nuk arritën asgjë domethënëse” me sulmet ajrore ndaj tri centraleve kyçe të vendit.

Në fjalimin e tij të parë publik pas armëpushimit të arritur me Izraelin, Khamenei doli në televizionin shtetëror për të shpallur “dështimin strategjik” të SHBA-së dhe për të paralajmëruar për sulme të reja në bazat amerikane në rajon, nëse Irani goditet sërish.

Uashingtoni dhe Teherani po prezantojnë dy narrativa tërësisht të kundërta mbi efektin e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se sulmet e shënjestruara “e kanë shtyrë për vite përpara” programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar ndërhyrjen si një “sukses historik”.

Presidenti Donald Trump ka këmbëngulur se impiantet bërthamore u “shkatërruan plotësisht”, duke mohuar zërat se dëmi ishte më i vogël se sa ishte parashikuar.

Por nga Teherani, Khamenei përshkroi këto sulme si “të dështuara” dhe i quajti simbolike për sa i përket ndikimit real në programin bërthamor të Iranit.

Në të njëjtin fjalim, Khamenei iu referua sulmit të Iranit ndaj një baze ajrore amerikane në Katar, duke e cilësuar si “një përgjigje e matur dhe e fuqishme”. Edhe pse asnjë viktimë nuk është raportuar dhe SHBA-ja e kishte sinjalizuar paraprakisht sulmin, Teherani po e përdor incidentin për qëllime simbolike dhe propagandistike, duke e përshkruar si një precedent për “hakmarrje të shpejtë dhe të kushtueshme”.

Në një veprim që rrit më tej tensionet, parlamenti iranian ka miratuar një ligj që pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), duke ndaluar inspektimet në objektet bërthamore.

Kjo lëvizje vjen një ditë pasi bordi i guvernatorëve të IAEA-s deklaroi se Irani kishte shkelur detyrimet për mospërhapje bërthamore për herë të parë në 20 vjet.

Top Channel