Kërcënimi i Donald Trump për rritjen e tarifave me 50%, Italia dhe Gjermania përplasen me Francën: Na duhet marrëveshje e shpejtë me SHBA-në

27/06/2025 11:42

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian të mbledhur në samitin e Brukselit duhej t’i tregonin gjithashtu Komisionit Evropian nëse preferonin të arrinin një marrëveshje tregtare të shpejtë me Shtetet e Bashkuara me kushte të favorshme për Uashingtonin apo të vazhdonin të luftonin për një marrëveshje më të mirë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur propozimet më të fundit të SHBA. Në fillim të javës, kancelari gjerman Friedrich Merz kishte deklaruar se BE-ja duhet të shtyjë për një marrëveshje “më të shpejtë” dhe “më të thjeshtë”, sipas modelit të marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa zyrtarët francezë argumentonin se Komisioni duhet të mbajë një qëndrim më të fortë dhe të synojë shërbimet amerikane.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dëshiron të arrijë menjëherë një marrëveshje dhe është e gatshme të pranojë tarifa doganore 10% si britanikët.

Trump ka kërcënuar se do të rrisë tarifat mbi mallrat evropiane deri në 50% nëse nuk arrihet një marrëveshje muajin e ardhshëm.

Por dje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se afati i 9 korrikut për armëpushimin tregtar mes SHBA dhe BE “nuk duhet parë si vendimtar”, edhe pse “vendimi i takon presidentit”. (Ndërkohë, Trump njoftoi dje në rrjetet sociale një marrëveshje me Kinën, pa dhënë detaje, si dhe një tjetër, të afërt, me Indinë).

Francesca Basso thotë: “Shtetet e Bashkuara nuk kanë treguar interes për propozimin e BE-së për heqjen e tarifave për të dyja palët mbi produktet industriale.

Prandaj po rritet ndërgjegjësimi në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera se marrëveshja me SHBA rrezikon të jetë «asimetrike»: Trump nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga të ardhurat e lehta të fituara përmes tarifave universale.

Aktualisht, shumica e produkteve evropiane i nënshtrohen tarifave të ashtuquajtura «reciproke» prej 10%, automjetet dhe pjesët e makinave me tarifa prej 25%, ndërsa çeliku dhe alumini me 50%.

Çështja kryesore është nëse do të mund të bien dakord për një normë doganore (10%) dhe nëse do të ketë marrëveshje sektoriale si ajo me Britaninë e Madhe. Negociatat po i udhëheq komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič: tregtia është kompetencë ekskluzive e Bashkimit Evropian dhe për këtë arsye është Komisioni që negocion në emër të 27 vendeve anëtare.”

Top Channel