
Burime të shumta konfirmojnë se administrata Trump është përfshirë në një fushatë intensive diplomatike për të rifilluar negociatat bërthamore me Iranin, duke propozuar një paketë të gjerë stimujsh ekonomikë në këmbim të ndërprerjes së pasurimit të uraniumit nga Teherani.
Sipas burimeve të afërta me zhvillimet, diskutimet përfshijnë akses të mundshëm për Iranin në fonde të bllokuara me vlerë deri në 30 miliardë dollarë, heqje të pjesshme të sanksioneve, si dhe ndërtimin e një programi bërthamor civil jo-pasurues të financuar nga vendet arabe të Gjirit.
Një nga takimet kyçe është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, ku i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, është konsultuar me partnerë të Gjirit në lidhje me draft-propozimin që pritet t’i paraqitet Iranit. Sipas një versioni të draftit të përshkruar për CNN, investimi do të shkojë për zhvillimin e infrastrukturës civile bërthamore të Iranit, ndërsa Teherani do të duhet të heqë dorë përfundimisht nga pasurimi i uraniumit në territorin e tij.
Këto zhvillime ndodhin pas një raundi të ri tensionesh ushtarake mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, përfshirë sulmet ndaj impianteve bërthamore iraniane dhe përgjigjen e Teheranit ndaj forcave amerikane në Katar më 23 qershor.
Zyrtarë të administratës theksojnë se SHBA-të janë të hapura për një marrëveshje, por vetëm nëse Irani pranon kushtin e panegociueshëm: zero pasurim uraniumi. Në vend të kësaj, Irani do të mund të importojë uranium të pasuruar për përdorim civil, sipas një modeli të ngjashëm me atë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Presidenti Trump, edhe pse publikisht ka minimizuar nevojën për një marrëveshje të re, ka lënë të hapur mundësinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje. “Mund të nënshkruajmë një marrëveshje, nuk e di”, deklaroi ai gjatë një samiti të NATO-s këtë javë.
Ndërkohë, Katari po luan një rol ndërmjetësimi kyç, duke ndihmuar në koordinimin e bisedimeve pas kuintave dhe duke mbështetur ruajtjen e një armëpushimi të brishtë midis Iranit dhe Izraelit.
Ekspertët paralajmërojnë se situata mbetet e pasigurt. Disa zyrtarë iranianë mund të interpretojnë zhvillimet e fundit si arsye për të përshpejtuar planet drejt një kapaciteti bërthamor ushtarak. Në fakt, këtë javë parlamenti iranian miratoi një ligj që kufizon më tej bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, duke ngritur shqetësime ndërkombëtare.
Nëse bisedimet do të prodhojnë një marrëveshje të re mbetet e paqartë. Por, diplomatët e përfshirë shprehen të kujdesshëm optimistë se pas përshkallëzimit të fundit ushtarak, ekziston një dritare mundësie për një zgjidhje diplomatike afatgjatë.
Top Channel