
Policia e Oslos ka ngritur zyrtarisht akuza të rënda ndaj Marius Borg Høiby, djalit të madh të Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit. Høiby, 28 vjeç, akuzohet për përdhunim, sulm seksual dhe dëmtime trupore, pas një hetimi disa mujor që ka përfshirë një numër “dyshifror” viktimash të dyshuara.
Sipas prokurorit të policisë, Andreas Kruszewski, akuzat përfshijnë një rast përdhunimi me marrëdhënie seksuale, dy raste përdhunimi pa marrëdhënie seksuale, katër raste sulmi seksual dhe dy raste dëmtimi trupor. Gjatë një konference për shtyp, Kruszewski konfirmoi se Høiby kishte bashkëpunuar me hetuesit gjatë marrjes në pyetje dhe se provat janë mbledhur përmes dëshmive të dëshmitarëve, mesazheve me tekst dhe kërkimeve të policisë.
“Nuk mund të japim më shumë detaje për numrin e viktimave, por mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për një numër dyshifror,” tha zyrtari i policisë.
Avokati i Høiby-t, Petar Sekulic, ka reaguar përmes një deklarate për Associated Press, ku thekson se klienti i tij i merr shumë seriozisht akuzat, por mohon shumicën e tyre, veçanërisht ato që lidhen me abuzimin seksual dhe dhunën.
Pallati Mbretëror nuk ka reaguar ende publikisht ndaj ngjarjes.
Marius Høiby është djali i Princeshës së Kurorës Mette-Marit nga një marrëdhënie e mëparshme dhe është birësuar nga trashëgimtari i fronit, Princi Haakon. Ai ka jetuar për vite me radhë me çiftin mbretëror dhe dy fëmijët e tyre, Princeshën Ingrid Alexandra dhe Princin Sverre Magnus, por aktualisht banon në një shtëpi më vete pranë rezidencës mbretërore.
Aktualisht ai është i lirë në pritje të një gjyqi të mundshëm, ndërsa ruan të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Top Channel