
Shtëpia e Bardhë ka vlerësuar si një “sukses historik” goditjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj centraleve bërthamore të Iranit, duke theksuar se veprimi erdhi në një moment kritik për sigurinë globale.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ky operacion do të mbetet në histori si një prej ndërhyrjeve më të suksesshme të SHBA-së në mbrojtje të paqes ndërkombëtare.
“Sulmi ndaj strukturave bërthamore të Iranit do të mbetet në histori si një sukses i jashtëzakonshëm,” tha Leavitt. “Sipas vlerësimeve tona, regjimi iranian ishte vetëm disa javë larg prodhimit të armës së parë bërthamore.”
Ky zhvillim ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit, ndërkohë që reagimet në arenën ndërkombëtare po shtohen. Zyrtarët amerikanë theksojnë se operacioni kishte për qëllim ndalimin e një kërcënimi të menjëhershëm dhe nuk përfaqëson një hyrje në konflikt të ri rajonal.
Ndërkohë, Teherani nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për sulmin dhe akuzat se ishte në prag të ndërtimit të një bombe bërthamore. Tensionet në Lindjen e Mesme pritet të rriten ndjeshëm në ditët në vijim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet.
Top Channel