
15 vite burg kërkoi Prokuroria e Posaçme për Behar Bajrin, ndërsa për Pëllumb Gjokën 14 vite heqje lirie.
SPAK shpalli pretencën për dosjen “Metamorfoza”, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
11 vite burg u kërkua për Edmond Prekën, 10 vite për Astmer Bilalin, 9 vite për Ardit Hasanbegajn, 6 vite për Xhevahir Litën dhe 9 vite për Oltion Bistrin.
Për të gjithë llogaritet edhe ulja e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Prokuroria e Posaçme më 4 maj 2024 dha detaje lidhur me përfundimin e hetimeve për të pandehurit e akuzuar për dosjen “Metamorfoza”, ku shfaqeshin në biseda të aplikacionit “SKY” ku porosisnin eliminimin fizik të kundërshtarëve të tyre.
Në përfundim të hetimeve, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj të pandehurve, Pëllumb Gjoka, Edmond Preka dhe Behar Brajoviç për vrasjen e Gjin Ndojit, si dhe Astmer Bilalit e Ardirit Hasanbegaj për sigurimin e mjeteve për atentatin ndaj Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
Ndërsa ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri akuzohet për zbulimin e të dhënave sekrete, prishjen e provave dhe korrupsionin e zyrtarëve publikë.
Prokurorit të Shkodrës Xhevair Lita që shfaqej duke komunikuar me anëtarë të grupit për zhvillimin e dosjeve hetimore, i është hequr akuza e grupit kriminal. Ish-zyrtari i drejtësisë do të përballet me gjykatën për akuzën e akuzat e korrupsionit dhe nxjerrjes së sekretit hetimor.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar, vendosi sekuestro ndaj 39 hektarëve tokë, që gjendet në Pulaj të Velipojës, pronësia e të cilave dyshohet se u tjetërsua përmes falsifikimeve nga Pëllumb Gjoka, arrestuar prej korrikut të 2023-shit, së bashku me 14 të tjerë midis tyre një prokuror dhe dy zyrtarë policie.
Tokat që janë pasuri e llojit pyje, rezultojnë të regjistruara në emër të shoqërie tregtare dhe në emër të një të afërmi të Pëllumb Gjokës, deklaron SPAK.
Akuza shton se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë u fituan me falsifikim nën bashkëpunimin e Gjokës me shtetas të tjerë që vijojnë të jenë në hetim.
Në janar 2023 Lule Zefi, trashëgimtare e Drane Hotajt e kallëzuan në SPAK paligjshmërinë dhe kërkuan hetime për biznesmenin dhe për persona të tjerë. Por hetimet për akuza më të rënda duke nisur nga vrasja, heqje e paligjshme e lirisë, korrupsion dhe grup kriminal u regjistruan në muajt në vazhdim, mbasi Europol përcolli në SPAK informacione inkriminuese mbi përdorues të SKY, që dyshohen se kryenin biseda inkriminuese deri dhe porosi për vrasje.
Top Channel