“Fitore e madhe kundër Iranit”, Netanyahu: Mundësi historike për të arritur marrëveshjet për paqe

26/06/2025 20:43

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se fitorja ndaj Iranit përfaqëson një moment historik për sigurinë e Izraelit dhe një mundësi të rrallë për paqe në Lindjen e Mesme.

Në një video të publikuar së fundmi në hebraisht, Netanyahu e përshkroi këtë zhvillim si një fitore të madhe që mund të hapë rrugën për marrëveshje të reja paqeje me vendet arabe.

“Zoti do t’i japë forcë popullit të tij, Zoti do ta bekojë popullin e tij me paqe,” u shpreh Netanyahu.

“Ne luftuam fort kundër Iranit dhe fituam një fitore të madhe. Kjo fitore hap një mundësi historike për një zgjerim të konsiderueshëm të marrëveshjeve të paqes.”

Netanyahu tha se qeveria izraelite po punon intensivisht në këtë drejtim, ndërsa theksoi se prioritet mbetet edhe lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe shkatërrimi i plotë i këtij grupi.

“Së bashku me lirimin e pengjeve tona dhe mposhtjen e Hamasit, ekziston një dritare mundësie që nuk mund ta humbasim. Nuk mund të humbasim asnjë ditë të vetme,” përfundoi kryeministri izraelit.

Deklaratat e Netanyahu vijnë në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta, por gjithashtu nxisin spekulime për një valë të re normalizimesh diplomatike në kuadër të marrëveshjeve të Abrahamit.

Top Channel