Apeli i Posaçëm merr vendimin për ish gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, dënohet me 100 orë punë në komunitet

26/06/2025 12:11

Ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj është dënuar me 100 orë punë në komunitet.

Apeli i Posaçëm pezulloi ekzekutimin e vendimit të dënimit me burgim dhe vendosi që puna në interes publik, të kryhet nga i dënuari brenda gjashtë muajve, duke filluar ky afat nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Tereza Merkaj (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 38 akti, datë 06.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi Guxim Zenelaj, ndaj vendimit nr. 26, datë 17.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 17.03.2025, të Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
• Në zbatim të nenit 63 të K.Penal urdhërohet:
1- Pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim,
2- Zëvëndësimi i dënimit me burgim me detyrimin e të denuarit G.Z. për të kryer një punë në interes publik, për një kohë prej 100 orësh.
• Puna në interes publik, të kryhet nga i dënuari brenda gjashtë muajve, duke filluar ky afat nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.
• Detyrohet i dënuari G.Z. të kryejë llojin e punës, në vendin e kryerjes së saj dhe në ditët përkatëse të javës, sipas përcaktimeve të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
• Detyrohet i dënuari G.Z. të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë.
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel, i ngarkohen të pandehurit G.Z.
4. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
U shpall në Tiranë, më datë 26.06.2025”, sipas vendimit.

Top Channel