Analizë nga Eduard Zaloshnja: Nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standardeve të OSBE/ODHIR…

26/06/2025 10:03

Nga Eduard Zaloshnja

Në raportin paraprak rreth zgjedhjeve të 11 majit, OSBE/ODHIR konstatoi se disa nga rekomandimet e mëparshme nuk ishin zbatuar nga shteti shqiptar. Po sa ndikoi ky moszbatim në numrin e mandateve që siguroi PS-ja në këto zgjedhje?

Këtë pyetje e testova me një sondazh ditët e fundit, duke e shpërndarë linkun e pyetësorit tek 2000 numra celularë krejt të rastësishëm në të gjithë vendin (1530 të anketuar të rritur e plotësuan pyetësorin).

Pyetja kryesore në sondazh ishte: “Sa mandate parlamentare mendoni se do të merrte PS-ja, nqs zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR?” Dhe opsionet e përgjigjeve ishin: Nën 71 mandate, 71-74, 75-79, dhe 80-83.

Plot 54% e të anketuarve ishin të mendimit se PS-ja do të siguronte 80-83 mandate parlamentare, edhe sikur zgjedhjet të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR. Nga ana tjetër, vetëm 3.9% ishin të mendimit se PS-ja nuk do t’i siguronte dot 71 mandatet e nevojshme për të krijuar qeverinë (shihni grafikun e mëposhtëm)

Po çfarë mendonin në veçanti të anketuarit që kishin votuar për partitë opozitare (PD-ASHM, NISMA-SHB, MUNDËSIA, BASHKË, KEA, DZH, etj.)?

Vetëm 12% e opozitarëve mendonin se PS-ja nuk do t’i siguronte dot 71 mandatet parlamentare, nqs zgjedhjet do të ishin zhvilluar 100% sipas standarteve të OSBE/ODHIR. Kurse mbi treçereku i tyre mendonin se, sidoqoftë, PS-ja do t’i merrte 71-79 mandate (shihni grafikun e mëposhtëm).

 

 

Top Channel