Vrasja e 26-vjeçarit shqiptar në Itali, autori: E vrava dhe fsheha në pyll, gruaja e viktimës kërkon të vërtetën

25/06/2025 19:19

Trupi i pajetë i 26-vjeçarit shqiptar, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga mbrëmja e së dielës në Foria, në provincën e Salernos, është gjetur pranë një toke bujqësore në afërsi të shtëpisë, që ai dhe 2 persona të tjerë tentuan të grabisnin.

Fillimisht, karabinierët mbajtën të fshehur identitetin e personit të riut, deri sa në vendngjarje mbërritën familjarët e tij. Prokuroria e Vallo della Lucania ka urdhëruar autopsinë mbi trupin e viktimës.

Vendi i zbulimit të trupit është treguar nga vetë 60-vjeçarit italian në shtëpinë e të cilit, tre persona dyshohet se tentuan të futeshin për ta  grabitur. U vunë në shënjestër dy banesa.

Përleshja me armë dyshohet se ndodhi në shtëpinë e Aurelio Valiante, 60 vjeç, i cili qëlloi me armë zjarri sapo shikoi 3 personat. Si pasojë 26-vjeçari shqiptar u qëllua për vdekje dhe një tjetër u plagos rëndë dhe ndodhet aktualisht i shtruar në një spital në Napoli në gjendje kritike. Personi i tretë u zhduk pa lënë gjurmë. Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në zonë, por deri më sot ai nuk është gjetur.

Zhdukjen e të riut e kishte denoncuar gruaja e tij, e cila ditët e fundit kishte deklaruar përpara karabinierëve dhe mediave se burri i saj, pasi ishte vrarë, ishte marrë zvarrë nga pronari i shtëpisë.

“Djali tjetër që mbeti i plagosur, na tha se ishin qëlluar teksa po dilnin nga banesa dhe se burri i saj ishte lënë në tokë dhe më pas ishte tërhequr zvarrë. Që nga ajo ditë nuk kemi pasur më lajme prej tij, tani duam vetëm të vërtetën”, tha ajo.

Karabinierët dhe Prokuroria  po hetojnë tashmë rastin. Valiante u paraqit këtë mëngjes në Prokurori, i shoqëruar nga avokati i tij, Antonello Natale. Ai thuhet se ka pranuar se ka qëlluar dhe ka transportuar trupin e të riut larg banesës së tij. Ai akuzohet për vrasje me dashje, lëndim të rëndë fizik dhe fshehje të kufomës. Për momentin, ndaj tij nuk është marrë asnjë masë sigurie, por Prokurori Francesco Rotondo, i cili ndodhej në vendin ku u gjet trupi po shqyrton mundësinë e kërkesës për arrest me burg, në pritje të rezultateve të ekspertizës balistike.

Në vendin e zbulimit të kufomës, situata u tensionua në një moment pasi shumë bashkatdhetarë të viktimës erdhën duke kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë me pronarin italian që i mori jetën 26-vjeçarit shqiptar.

Ndërhyrja e menjëhershme e karabinierëve bëri të mundur që situata të mos dilte jashtë kontrollit.

 

Top Channel