“Përvëlohet” Amerika e Veriut, valë ekstreme të nxehti! Dhjetëra të shtruar në spital, shpallet gjendje emergjente

25/06/2025 09:01
Getty Images

Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë pjesën lindore të Amerikës së Veriut, duke shkaktuar dhjetëra raste të shtrimeve në spital dhe duke detyruar autoritetet lokale të shpallin gjendje të jashtëzakonshme në disa qytete.

Më shumë se 150 persona u sëmurën gjatë një ceremonie diplomimi në Paterson të New Jersey-t, ku temperaturat ekstreme dhe lagështia e lartë çuan në atë që autoritetet e quajtën një “incident viktimash masive”. Kryetari i bashkisë, Andre Sayegh, ka shpallur gjendje emergjente, duke pezulluar aktivitetet publike dhe duke hapur qendra ftohjeje për qytetarët.

Në Karolinën e Veriut, të paktën 41 persona, përfshirë fëmijë, u trajtuan për probleme të lidhura me të nxehtin, ndërsa në Uashington DC, gjashtë persona u dërguan në spital gjatë një koncerti të grupit të njohur koreano-jugor “Stray Kids”.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NWS) ka vendosur alarme për nxehtësi nga Midwest deri në Bregun Lindor të SHBA-së, si dhe në rajonet juglindore të Kanadasë, përfshirë Ontarion, Kebekun dhe Nova Scotia, duke prekur më shumë se 160 milionë njerëz.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku për shëndetin rritet ndjeshëm nga kombinimi i temperaturave të larta dhe lagështisë, si dhe mungesës së freskisë gjatë natës, ku në disa qytete temperaturat nuk zbresin nën 27°C.

Top Channel