Për të dytin vit radhazi kanë vazhduar testimet e urës mbi lumin Ibër, urë kjo që e ndanë Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.

Të martën, nën mandatin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ekspertët kanë kryer inspektime e matje mbi stabilitetin strukturor të urës së Ibrit që vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

Testimi i urës nga ekspertët po përcillet nga një numër i lartë i trupave të KFOR-it.

Gjatë muajit maj të këtij viti, Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar për këto testime, sipas tyre për të parë qëndrueshmërinë e urës edhe përballë ujërave të rrëmbyeshëm.

BE-ja kishte shtuar se testimet nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve.

Në gusht të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës në Kosovë kishte kryer testime të tilla për stabilitetin e Urës së Ibrit, në kohën kur komuna e Mitrovicës së Veriut dhe Qeveria synonin hapjen e saj.

Megjithatë edhe pas një raporti që rekomandonte lejimin e qarkullimit të veturave mbi urë, ajo nuk u hap asnjëherë.

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e Mitrovicës së Jugut e Veriut, një javë më parë kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin edhe të dy urave paralele që do lidhin komunat.

Ura e lumit Ibër është e mbyllur për kalimin e automjeteve që nga lufta.

Top Channel