
Liderët e NATO-s janë mbledhur në Hagë për një samit të cilësuar si historik nga kancelari gjerman Friedrich Merz, me synimin për të garantuar paqen në Evropë për brezat e ardhshëm.
Ky është samiti i parë i presidentit amerikan Donald Trump me NATO-n që nga viti 2019 dhe të 32 udhëheqësit pritet të angazhohen për të shpenzuar 5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen dhe infrastrukturën përkatëse.
Përpara mbërritjes së tij, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i dërgoi Trumpit një mesazh përpara samitit, duke e lavdëruar për menaxhimin e aleancës perëndimore dhe për qasjen e tij në konfliktin me Iranin.
“Po vjen drejt një tjetër suksesi të madh në Hagë. Nuk ishte e lehtë, por i kemi të gjitha firmat për pesë përqindëshin,” shkroi Rutte në një mesazh të publikuar nga Trump në rrjete sociale.
Ai gjithashtu e përgëzoi Trumpin për “veprimin vendimtar në Iran, i cili ishte vërtet i jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bëjë.”
Liderët perëndimorë kanë pasur shpesh vështirësi në menaxhimin e marrëdhënieve me Trumpin, i njohur për stilin e paparashikueshëm diplomatik. Samiti dy-ditor është shkurtuar, për t’iu përshtatur orarit të presidentit amerikan.
Rutte u ka bërë thirrje vendeve evropiane të ndalojnë së shqetësuari për angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe të fokusohen te rritja e shpenzimeve për mbrojtje dhe mbështetja për Ukrainën.
Ai theksoi se presidenti amerikan dhe drejtuesit e tjerë kanë “angazhim të plotë” ndaj NATO-s, me kushtin që edhe aleatët të rrisin shpenzimet në përputhje me kontributin amerikan.
Sipas Rutte, Evropa dhe Kanadaja janë zotuar tashmë për më shumë se 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën këtë vit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Hagë dhe pritet të takohet me Donald Trumpin në kuadër të samitit. Të dy patën një takim të vështirë në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, por një takim më konstruktiv gjatë funeralit të Papa Françeskut në prill.
Pritet që vendet anëtare të NATO-s të miratojnë një plan të ri investimesh që do ta ngrejë nivelin e synuar të shpenzimeve për mbrojtje në 5% të PBB-së.
Shumë aleatë janë ende larg përmbushjes së objektivit për 3.5% deri në vitin 2035, por qeveria gjermane miratoi një marrëveshje buxhetore që synon të arrijë këtë shifër deri në vitin 2029. Në vitin 2025 do të shpenzohen 62.4 miliardë euro për mbrojtjen, ndërsa deri në 2029 kjo shumë do të arrijë në 152.8 miliardë euro, pjesërisht e financuar përmes borxheve dhe fondeve të veçanta.
Samiti dy-ditor nisi me një darkë të organizuar nga Mbreti i Holandës, ndërsa sesioni i punës të mërkurën do të zgjasë më pak se tre orë dhe do të përfundojë me një deklaratë pesë paragrafëshe.
Top Channel