Mbahet në Berlin Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve, Shqipëria synon Presidencën

23/06/2025 13:07

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit, e cila po zhvillohet në Berlin nga data 23-25 qershor 2025.

Tema kryesore e edicionit të këtij viti është “Aksesi në informacionin mjedisor në epokën digjitale”, duke sjellë në qendër të vëmendjes rëndësinë e informimit të publikut për çështje që lidhen me mjedisin, në një kohë kur teknologjia dhe të dhënat luajnë një rol gjithnjë e më të madh në vendimmarrje dhe ndërgjegjësim qytetar.

Komisioneri Dervishi në fjalën përshëndetëse në nisje të punimeve të konferencës, në cilësinë e Presidentit të Përkohshëm të ICIC theksoi se “e drejta për informim është oksigjeni i demokracisë, ajo që mban gjallë llogaridhënien, pjesëmarrjen qytetare dhe ndërtimin e besimit”.

Në fjalën e tij, ai theksoi se transparenca nuk duhet të mbetet një koncept teorik, por të funksionojë si një mekanizëm real dhe i qëndrueshëm për të afruar institucionet publike me qytetarët, veçanërisht në fushat që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme, si mjedisi dhe shërbimet publike.

Ndërsa Prof. Dr. Louisa Specht-Riemenschneider, Komisionerja Federale për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit, Gjermani përmendi në fjalën e saj krijimin e ICIC në Berlin 22 vite më parë dhe vuri në dukje rolin e kësaj organizate.

ICIC është një platformë unike për të shkëmbyer ide dhe përvoja. E drejta për informim përballet me kërcënime dhe sfida, veçanërisht sa i përket informacionit mjedisor, të cilave duhet t’u japim zgjidhje specifike. Duhet të forcojmë transparencën dhe të ardhmen e qëndrueshme  sepse e drejta për informim është bazë për  demokracinë dhe katalizator për ndryshim pozitiv”, u shpreh Komisionerja gjermane.

Punimeve të konferencës iu drejtuan edhe znj. Rita Schëarzelühr-Sutter, Sekretare Shteti në Ministrinë e Mjedisit të Gjermanisë dhe Guilherme Canela de Souza Godoi, Drejtor i Departamentit për Përfshirjen Digjitale, UNESCO.

Zyrtarja e lartë e Ministrisë gjermane të Mjedisit u shpreh se “autoritetet publike që prodhojnë dhe mbajnë të dhëna dhe informacion mjedisor kanë përgjegjësinë të jenë më transparente dhe t’i publikojnë këto të dhëna në mënyrë sa më miqësore për publikun. Informacioni duhet të jetë i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i qasshëm për të gjithë.”

Ndërsa përfaqësuesi i UNESCO-s vuri në dukje se “po jetojmë një moment të rëndësishëm, por jo të lehtë, ku themelet e institucioneve të llogaridhënies janë nën sulm dhe kjo përbën kërcënim për vetë funksionimin e demokracisë. Që demokracia të funksionojë, kërkohen autoritete të pavarura që punojnë, një media e lirë dhe një shoqëri civile aktive.”

Konferenca kulmon me sesionin e mbyllur më 25 qershor, ku do të zhvillohet zgjedhja e Presidencës dhe Sekretariatit të ri të ICIC për periudhën 2025–2027, një moment kyç për drejtimin dhe forcimin e këtij rrjeti global, ku Shqipëria, kandidon zyrtarisht pwr presidencën e ICIC për një mandat të plotë 2-vjeçar.

Top Channel