
“Jam gati të vras për ju, zotëri”. Kjo është fjalia që, sipas vetë Presidentit Trump, i tha gjenerali i ushtrisë ‘Razin Caine’ gjatë një takimi në mandatin e parë të tij në Shtëpinë e Bardhë. Anekdota është treguar disa herë nga Presidenti, edhe pse detajet kanë ndryshuar herë pas here.
Sipas versionit të Trump, Caine mbante veshur një beretë të kuqe me sloganin “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, duke sfiduar rregulloret që ndalojnë përfshirjen e ushtrisë në politikë. Ai i kishte thënë presidentit se ISIS mund të eliminohej brenda një jave ose katër, por sigurisht jo për vite me radhë, siç thoshin zyrtarët e Pentagonit. E megjithëse disa e vunë në dyshim frazën dramatike për gatishmërinë për të vrarë për komandantin e përgjithshëm, një gjë është e qartë: Trump mbeti i mahnitur. Kaq shumë, saqë vendosi ta emëronte atë në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura – një zgjedhje jashtë normave, pasi Caine nuk i përmbushte kriteret teknike për një ngritje të tillë në detyrë. Për ta bërë të mundur, Trump firmosi një përjashtim të posaçëm presidencial.
Vendimi u konsiderua si politik dhe i nxitur nga besnikëria personale. Caine shihet si i afërt me qëndrimet e djathta, i paduruar ndaj procedurave burokratike dhe kritik ndaj “zgjimit” progresist në ushtri. Ai zëvendësoi gjeneralin Charles Q. Brown Jr., një oficer afro-amerikan që mbështeti politikat për barazi dhe përfshirje – dhe që ishte përkrahës i Presidentit Biden.
Emërimi u miratua nga Senati në një seancë të zhvilluar natën e 6 prillit, me 60 vota pro dhe 25 kundër. 15 senatorë munguan për shkak të pushimeve të Pashkëve, ndërsa 15 demokratë të qendrës votuan krah republikanëve.
Top Channel