
Vendimi i paprecedentë i Presidentit Donald Trump për të bombarduar tre centrale bërthamore iraniane ka thelluar frikën e një konflikti në zgjerim në Lindjen e Mesme.
Duke iu bashkuar Izraelit në aksionin më të madh ushtarak perëndimor kundër Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979, bota tani po përgatitet për përgjigjen e Iranit.
Një mënyrë se si Irani mund të hakmerret, thonë analistët, është të mbyllë ngushticën e Hormuzit, një rrugë tregtare jetësore, përmes së cilës kalon çdo ditë mbi një e pesta e furnizimit botëror me naftë, 20 milionë fuçi dhe pjesa më e madhe e gazit të lëngshëm.
Irani në të kaluarën ka kërcënuar të mbyllë ngushticën, gjë që do të kufizonte tregtinë dhe do të ndikonte në çmimet globale të naftës, por kurrë nuk e ka përmbushur kërcënimin.
Çfarë është ngushtica e Hormuzit?
Ndër pikat më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ngushtica e Hormuzit është gjeostrategjikisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë, pasi forca e ekonomisë globale varet shumë nga rrjedha e naftës.
Ngushtica shtrihet midis Omanit dhe Iranit dhe lidh Gjirin në veri me Gjirin e Omanit në jug dhe Detin Arabik përtej tij. Është 33 km e gjerë në pikën e saj më të ngushtë, me korsinë e transportit detar vetëm 3 km të gjerë.
Pse është kaq e rëndësishme?
Rreth një e pesta e konsumit total të naftës në botë kalon nëpër ngushticë. Midis fillimit të vitit 2022 deri muajin e kaluar, ka kaluar çdo ditë afërsisht 17.8 milionë deri në 20.8 milionë fuçi naftë të papërpunuar, sipas të dhënave nga firma analitike Vortexa.
Anëtarët e OPEC, Arabia Saudite, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, eksportojnë pjesën më të madhe të naftës së tyre të papërpunuar nëpërmjet ngushticës, kryesisht në Azi. Flota e Pestë e SHBA-së, me bazë në Bahrein, është e ngarkuar me mbrojtjen e anijeve tregtare në zonë.
Çfarë do të ndodhte nëse do të mbyllej?
Mbyllja e ngushticës do t’i krijonte një kosto të drejtpërdrejtë Trumpit, pasi do të shkaktonte një rritje të çmimit të naftës me një efekt inflacionist pothuajse të menjëhershëm në SHBA dhe në të gjithë globin.
Por, do të ishte gjithashtu një akt i vetëdëmtimit ekonomik. Nafta iraniane përdor të njëjtën portë dhe mbyllja e Hormuzit rrezikon të fusë në luftë shtetet arabe të Gjirit, të cilat kanë qenë shumë kritike ndaj sulmit izraelit, për të mbrojtur interesat e tyre.
Në veçanti, mbyllja e ngushticës do ta dëmtonte ndjeshëm Kinën. Ekonomia e dytë më e madhe në botë blen pothuajse 90% të eksporteve të naftës së Iranit, të cilat janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.
Sekretari i shtetit amerikan, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës që të ndihmojë në ndalimin e mbylljes së ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke i thënë Fox Neës: “E inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t’i telefonojë për këtë, sepse ata varen shumë nga ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre. Nëse e bëjnë këtë, do të jetë një tjetër gabim i tmerrshëm. Është vetëvrasje ekonomike për ta nëse e bëjnë”.
Çfarë ka thënë Irani për Ngushticën e Hormuzit?
Televizioni iranian Press TV raportoi në fundjavë se parlamenti iranian miratoi një masë për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, por në fund të fundit vendimi do të merret nga udhëheqësit më të lartë të Iranit.
Të dielën, ministri i jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, la të kuptohej se do të ishte një hakmarrje e pafundme kur tha se vendimi i Trump për të bombarduar Iranin “do të ketë pasoja të përjetshme”.
Në komentet e tij të para që kur SHBA-të iu bashkuan luftës së Izraelit kundër vendit të tij, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Izraeli ka bërë një “gabim të rëndë” dhe “duhet të ndëshkohet”, por nuk bëri ndonjë referencë specifike për ngushticën e Hormuzit./ Përshtatur nga The Guardian
Top Channel