
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, thotë se Irani “luajti” me SHBA-në në negociatat mbi programin e tyre bërthamor, duke e shtyrë Presidentin Donald Trump të ndërmarrë veprime.
Në një intervistë për Fox News, ai tha se SHBA-të ofruan ta lejonin Iranin të kishte një program bërthamor civil, por “ata e refuzuan atë”. Rubio gjithashtu përsëriti pikëpamjen e tij se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore.
“Ata na mashtruan. Nuk u përgjigjën ofertave tona. U zhdukën për 10 ditë. Presidentit iu desh të ndërmerrte veprime si përgjigje”, u shpreh ai.
Rubio paralajmëron gjithashtu se çdo hakmarrje nga Irani do të ishte gabimi i tyre më i madh.
“Ne nuk po i shpallim luftë Iranit. Ne nuk kërkojmë luftë në Iran. Por nëse na sulmojnë, mendoj se kemi aftësitë që ata as nuk i kanë parë ende”, thotë ai.
Më herët sot, ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Irani nuk e ka lënë kurrë tryezën e negociatave . Në vend të kësaj, ai tha se bisedimet u ndërprenë nga sulmet izraelite, të ndjekura nga sulmet amerikane.
Top Channel