
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Përderisa procesi i votimit për qytetarët me të drejtë vote brenda vendit do të mbetet i njëjtë për zgjedhjen e kryetarit dhe kuvendeve komunale, mënyra e votimit nga diaspora do ketë ndryshime. Në zgjedhjet lokale të gjithë shtetasit e Kosovës që regjistrohen për të votuar nga jashtë do të pranojnë me postë fletëvotimet.
Periudha për regjistrimin e mërgatës do të nis më 23 korrik dhe do të përfundojë më 29 gusht 2025.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bazë të ndryshimeve të aktit nënligjor për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, do të iu dërgojë shtetasve të Kosovës, që regjistrohen për të votuar në Kosovë, pakon me fletëvotim”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ.
Ndërkohë që mbetet obligim i votuesve të regjistruar që pas votimit të kthejnë prapa pakot me fletëvotime brenda periudhës 17 shtator deri më 11 tetor.
“Mbetet obligim i shtetasve, i votuesve që pakon me fletëvotim ta kthejnë në adresë të kutisë postare të KQZ-së, qoftë në Kosovë apo në kutitë postare të KQZ-së që do të hapen nëpër vende të ndryshme të botës”, u shpreh Elezi.
Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit ku votimi i diasporës u mundësua edhe në përfaqësitë diplomatike nëpër botë, një gjë e tillë sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme nuk aplikohet në zgjedhjet për kryetarët e komunave.
Më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do të zgjedhin kryetarët e 38 komunave në tërë territorin e vendit.
Top Channel