Iran, “del në skenë shahu”: Rrëzoni regjimin me mosbindje civile pa dhunë”!

21/06/2025 15:35

Në rrjet, po përhapet me shpejtësi apeli i Reza Pahlavit, djali i Shahut të fundit të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili u rrëzua gjatë Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale, i biri i Shahut bën  thirrje për rrëzimin e regjimit aktual në Iran, duke theksuar “nevojën për mosbindje civile pa dhunë dhe një referendum mbi rendin e ardhshëm të vendit”.

“Diskutimet tona rreth Iranit pas përmbysjes së Republikës Islamike kanë filluar. Qytetarët duhet të ngrihen e t`i japin fund këtij regjimi”, tha Reza Pahlavit.

Në disa intervista të mëhershme, Pahlavi qe shprehur se është gati të udhëheqë tranzicionin drejt një rendi të ri politik, duke e quajtur atë “mundësinë më të madhe për të rrëzuar Republikën Islamike në katër dekada”.

“Ky është momenti ynë historik”, ishte komenti i tij.

Pahlavi, i cili jeton aktualisht në SHBA, gëzon mbështetje nga një pjesë e diasporës iraniane që përkrah rikthimin e monarkisë.

Është e pasigurtë megjithatë sesa mbështetje ka një ide e tillë brenda vetë Iranit, ku shumica e popullsisë as nuk kishte lindur kur babai i tij u largua nga vendi 46 vjet më parë.

Top Channel