
Nga Aladin Stafa
Prej një jave një front i ri lufte është ndezur në Lindjen e Mesme. Beteja tashmë e drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit është përshkallëzuar nga dita në ditë në bombardime të njëpasnjëshme, duke lënë pas konfliktet verbale mes dy shteteve që nisën gati një vit më parë.
Izraeli e filloi luftën e tij me sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore dhe raketore të vendosura në Republikën Islamike. Operacioni mbante një titull që edhe mund t‘i shkonte kësaj historie, ‘Luani në Ngritje‘, qëllimi i të cilit është parandalimi i Iranit si një kërcënim bërthamor. Nga ana tjetër, vetë Irani është kundërpërgjigjur jo pak por duke qëlluar me mbi 400 raketa dhe dronë drejt Izraelit.
Dhjetra prej tyre arritën në qytetet kryesore të Izraelit, si Tel Aviv apo dhe Beersheba duke shkaktuar mjaft civilë të plagosur e duke dëmtuar infrastrukturën. Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) ndërkaq është akoma dhe më e mobilizuar mbi koordinimin e përgjigjes ushtarake, për të treguar se kthim pas vështirë se mund të ketë.
Kjo situatë thuajse lufte mes dy vendeve, dikur mike, solli kaos kudo e coi deri në rënien e sistemit të internetit në Iran dhe pamundësinë për një akses nga jashtë vendit. Migrimet e para ndërkohë kanë nisur dhe dhjetra -qindra qytetarë të frikësuar e në rrezik për jetën janë detyruar të largohen drejt zonave më të qeta. Natyrisht që ky konflikt nuk ka se si mos të ketë një impakt global, ku SHBA-të janë vendosur në një zonë alarmi tashmë, duke lënë në një farë mënyre të hapur mundësinë e një përfshirjeje me një mbështetje ushtarake drejt Izraelit.
Ndërkohë reagimi i Europës, si çdo herë, mbetet në nivele diskutimesh nën një gjuhë të drunjtë dhe aspak konkretizuese. Tabloja na rrëfen qartazi se Izraeli e sheh Iranin si një kërcënim ekzistencial, ndërsa ky i fundit nuk e fsheh të drejtën që duhet të gëzojë për t‘u pasuruar në uranium duke mohuar dëshirën e armatimit me armë nukleare.
E vërteta e hidhur ama, qëndron në faktin se kjo nuk është më një luftë proxy sikundër ndodhi në Siri apo dhe Libi por një betejë reale mes dy fuqive të një rajoni, i destinuar për konflikte të vazhdueshme.
Por çfarë fshihet pas gjithë kësaj? Pse nisi dhe shpërtheu kjo luftë?
Për të elaboruar të tashmen e për të dhënë një prognozë të së ardhmes, duhet të shfletojmë ca faqe të historisë së dy vendeve. Deri në fundin e viteve ‘70 të dyja shtetet ishin mike me njëra -tjetrën – jo prej besimit apo kulturës por prej nevojës dhe zhvillimit.
Të dyja i druheshin nacionalizmit arab dhe marrëdhënien e qetë të përbashkët e gjenin mes bashkëpunimit dhe mbrojtjes që i vinte prej aleatit të madh, një superfuqie sic ishin SHBA-të.
Revolucioni iranian i viteve 1977 -1979 ishte i pari në një seri kryengritjesh masive popullore civile që do të rezultonin në përmbysjen e regjimeve autoritare në dhjetëra vende gjatë tre dekadave të ardhshme. Ndryshe nga shumica e kryengritjeve të tjera që do të rrëzonin diktatorët në Amerikën Latine, Evropën Lindore dhe në pjesë të Azisë dhe Afrikës, rezultati i luftës iraniane nuk ishte vendosja e demokracisë liberale por e një forme të re autoritarizmi.
Më shumë se ndërrimin e qeverive, këto kryengritje devijuan në udhën e identitetit kombëtar. E si rrjedhojë, një popull pa identitet sigurisht që e humb busullën e tij të orientimit. Në pak vite, miqësia u kthye në armiqësi, ku së bashku me faktorë të tjerë të jashtëm do të conin deri në këtë konflikt të përgjakshëm që ne e shohim sot. Aq sa më shumë se e pritur, dukej që gjithcka të ish e planifikuar. Skena e vërtetë ka padyshim dhe aktorët e saj, që pas perdes presin… secili me interesin përkatës.
Dhe ata janë:
Amerika e cila vështron nëse duhet të përfshihet apo jo.. Europa që nuk mund të ofrojë më shumë sesa fjalë dhe samite apo Rusia dhe Kina që tentojnë të përfitojnë sa më shumë prej këtij terreni që djeg edhe në këtë epokë të re të teknologjisë me synimin për të zhbalancuar fuqinë dhe rendin global të SHBA- së.
Dhe ne, njerëzit e zakonshëm që qëndrojmë diku midis, duke pyetur veten se sa kjo luftë është e tyre. Nuk ka të mirë apo të këqinj në këtë histori. Por vetëm kombe të bllokuar në një cikël mosbesimi, hakmarrjeje dhe frike.
Ndërsa historia i mban fort të lidhur pas së shkuarës dhe ideologjia fetare vazhdon t’u vrasë të tashmen, është politika ajo e cila po i vret të ardhmen. Thuhet se lufta është dështimi i imagjinatës.
E drama më e madhe e këtij konflikti është se asnjëra palë nuk mund ta imagjinojë më paqen- vetëm fitoren ose mbijetesën. Por diku në rrënojat e shtëpive ka ende njerëz.
Njerëz që nuk kërkojnë asgjë më tepër sesa të jetojnë. Breza të rinj që ëndërrojnë dicka më mirë se moria e bombave që u ka zbehur frymën prej më shumë se katër dekadash.
Paradoksalisht aty, ku duket se gjithcka filloi dhe ku po aty mund edhe të përfundojë; në Lindje.
Top Channel