
Uragani Erick po forcohet me shpejtësi dhe pritet të arrijë kategorinë 3 deri të enjten, kur do të prekë bregun jugor të Meksikës në Oqeanin Paqësor, ka njoftuar Agjencia e Mbrojtjes Civile e Meksikës.
Aktualisht një uragan i kategorisë 2, Erick është shoqëruar me erëra të qëndrueshme deri në 175 km/h (110 mph) dhe pritet të intensifikohet edhe më tej për shkak të kushteve të favorshme atmosferike. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA (NHC), stuhia do të sjellë erëra potencialisht shkatërruese dhe përmbytje të rrezikshme për jetën në disa pjesë të Meksikës jugore.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, i ka bërë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara: “Qëndroni të informuar nga burimet zyrtare, mos dilni nga shtëpitë dhe qëndroni në ambiente të sigurta.”
Uragani pritet të prekë tokën në zonën midis Oaxaca dhe Guerrero, ku autoritetet presin reshje deri në 50 cm (20 inç), çka rrit ndjeshëm rrezikun e rrëshqitjeve të dheut në terrene të pjerrëta.
Autoritetet meksikane kanë ngritur rreth 2,000 strehimore emergjente në shtetet bregdetare Chiapas, Guerrero dhe Oaxaca, ndërsa mbi 18,000 punonjës të emergjencës janë mobilizuar për përballimin e situatës.
“Nëse ndodheni në zona të ulëta, pranë lumenjve apo rrjedhave ujore, është më mirë të zhvendoseni në strehimoret e vendosura për këtë situatë,” – theksoi presidentja Sheinbaum.
Zona më e prekur nga goditja e uraganit pritet të jetë pjesa bregdetare midis Puerto Ángel (Oaxaca) dhe Punta Maldonado (Guerrero).
Kjo do të jetë stuhia e parë që prek Meksikën në këtë sezon uraganesh, që zgjat nga fillimi i qershorit deri në fund të nëntorit. Kujtojmë që në tetor 2023, uragani Otis – një stuhi e kategorisë 5 – shkaktoi të paktën 50 viktima në Acapulco, duke i zënë banorët të papërgatitur për shkak të intensifikimit të shpejtë.
Top Channel