Për të 34-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo është hera e 26-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të shtunën më 21 qershor.

Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Ky subjekt insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr organin ligjvënës. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, duke kërkuar që partia e Albin Kurtit të ndryshojë kandidatin.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga e hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.

Teksa vendi ka mbetur pa institucione të reja për mbi katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, së voni LDK-ja – që doli e treta në zgjedhje – ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Por, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill dhe deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota – në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.

Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje ligjvënësve që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja./REL

Top Channel