Shirat dhe stuhitë godasin Indinë, 18 viktima dhe dhjetëra persona të bllokuar nga përmbytjet

18/06/2025 10:57

Shirat e rrëmbyeshëm kanë vrarë të paktën 18 persona që nga e hëna në Gujarat të Indisë, tha qeveria e shtetit veriperëndimor indian.

“18 persona kanë vdekur në aksidente të lidhura me shirat dhe dhjetëra të tjerë që jetojnë në zona të ulëta janë shpëtuar”, tha qeveria e Gujaratit në një deklaratë.

Me shirat e rrëmbyeshëm që pritet të vazhdojnë në ditët në vijim, kryeministri i Gujaratit, Bhupendra Patel, ka shqyrtuar masat e marra nga autoritetet.

Komisioneri përgjegjës për operacionet e shpëtimit në Gujarat, Alok Kumar Pandey, konfirmoi se 18 persona vdiqën, pasi u goditën nga rrufeja ose u bllokuan në ndërtesa të shembura.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut janë të zakonshme në Indi gjatë sezonit të musoneve (periudhë me ndryshime drastike të motit në vendet tropikale), i cili zgjat nga korriku deri në shtator.

Shkencëtarët besojnë se ndryshimi i klimës po i bën këto fenomene më të shpeshta, intensive dhe të paparashikueshme.

Top Channel