
Qetësia u rikthye në Los Angeles të martën, ndërsa kryetarja e bashkisë Karen Bass vendosi të heqë një shtetrrethim të vendosur një javë më parë, ndërsa Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, përpiqet të rimarrë kontrollin e Gardës Kombëtare, e cila u dërgua në qytet nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për t’u përballur me protestuesit që protestonin kundër politikës së tij të imigracionit.
Një valë arrestimesh të emigrantëve të paligjshëm nga agjencia e imigracionit (ICE) ka zemëruar disa banorë të Los Angeles. Protestat kundër këtyre operacioneve kanë çuar në trazira dhe incidente.
Trump nxitoi të akuzonte autoritetet lokale, të cilat i përkasin partisë Demokratike, se kishin humbur kontrollin e qytetit dhe dërgoi 4,000 anëtarë të Gardës Kombëtare dhe 700 marinarë në Los Angeles.
Ky vendim i presidentit amerikan u kritikua ashpër si nga Newsom ashtu edhe nga Bass, të cilët e akuzuan atë për instrumentalizim të situatës.
Duke intensifikuar operacionet federale kundër emigrantëve të paligjshëm në Los Angeles, Trump sulmoi Kaliforninë, një shtet strehë për ata pa dokumente ligjore dhe shtëpi e një numri të madh emigrantësh.
Vendimi i tij për të vendosur Gardën Kombëtare pa pëlqimin e guvernatorit të shtetit është diçka që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1965.
Gavin Newsom kritikoi tendencat autoritare të presidentit amerikan dhe iu drejtua gjykatave për të rifituar kontrollin e situatës.
Top Channel