“Forca e motorrit nuk po arrihet, po bie”, ekspertët hedhim dyshime se avioni i nisur nga India për në Londër u rrëzua nga…

18/06/2025 12:31

Hetuesit e aksidentit të Air India dyshojnë se një sistem emergjence energjie është aktivizuar – duke ngritur dyshime nëse motorët funksiononin siç duhej.

Shumë analistë tashmë pajtohen se një gjenerator i vogël turbinor, i njohur si Ram Air Turbine (RAT), është nxjerrë automatikisht gjatë rrëzimit të avionit Boeing 787, pasi doli një video e re që cilësohet si përcaktues në fatin e hetimit të ngjarjes.

Pak ditë pas katastrofës që mori jetën e më shumë se 270 personave, u publikua një video në cilësi të lartë që tregonte një “dalje në pjesën e poshtme të avionit”, me një “pikë të vogël gri” poshtë saj.
Komentuesit thonë se ajo ishte pikërisht RAT-i, që po dilte nga trupi i avionit, i cili nuk mundi të ngjitej më shumë se 137 metra në lartësi.

Piloti komercial Steve Schreiber, i njohur si Kapiten Steve, shpjegoi:
“Shumë avionë e kanë. Është menjëherë pas krahut, në anën e djathtë të avionit. Ka një derë të vogël që e mban brenda.

Duket si një motor i vogël me helikë, si një motor i vogël Evinrude me dy fletë.
Qëllimi i tij është të sigurojë energji elektrike dhe presion hidraulik për avionin në një emergjencë ekstreme.”
Steve tha se ka tre arsye që mund të aktivizojnë RAT-in në një Boeing 787: Dështim i madh elektrik; dështim i madh hidraulik; dështim i dyfishtë i motorëve.

“Por unë mendoj se fakti që avioni po bie nga qielli, sugjeron se kemi të bëjmë me një dështim të dyfishtë të motorëve,” shtoi ai.
Edhe analistë të tjerë pajtohen se sistemi RAT është aktivizuar, dhe shkaku më i mundshëm është dështimi i të dy motorëve.

Anthony Brickhouse, një konsulent amerikan për sigurinë ajrore, i tha Wall Street Journal-it se arsyeja më e zakonshme për nxjerrjen e këtij heliku është sepse piloti beson se të dy motorët nuk funksionojnë.
Megjithatë, ai shtoi se kjo është jashtëzakonisht e rrallë:

“Te aviacioni komercial, një dështim i dyfishtë i motorëve është jashtëzakonisht i rrallë.
Sot, motorët tanë janë më efikasë dhe më të besueshëm se kurrë.”

Megjithëse po rritet konsensusi për aktivizimin e RAT-it, hetuesit ende nuk kanë konfirmuar nëse janë motorët, sistemi hidraulik apo ndonjë defekt tjetër që e shkaktoi këtë situatë emergjente. Dhe mund të kalojë mjaft kohë derisa të kemi një përfundim zyrtar. Ministria Indiane e Aviacionit Civil tha se aksidenti është ende nën hetim dhe më shumë informacion do të jepet në kohën e duhur.

Hetimet për aksidente ajrore mund të zgjasin më shumë se një vit – dhe shpesh nxjerrin disa faktorë që kontribuan në ngjarje. Të dy kutitë e zeza tashmë janë gjetur. Njëra regjistron të dhëna të fluturimit, si lartësia dhe shpejtësia, ndërsa tjetra regjistron zërat në kabinën e pilotëve.

E para u gjet mbi një çati, pranë vendit të rrëzimit, vetëm 28 orë pas aksidentit. E dyta pritet të zbulojë panikun e pilotëve në momentet e fundit të fluturimit. Deri më tani dihet se piloti, Kapiten Sumeet Sabharwal, bëri një thirrje emergjente (Mayday) të dëshpëruar në radio pak para rrëzimit:

“Thrust (forca e motorit) nuk po arrihet […] po bie […] Mayday! Mayday! Mayday!”
Të dy pilotët u përpoqën për 17 sekonda të kontrollonin avionin ndërsa po fundosej, para se të përplasej mbi ndërtesa.

Sabharwal kishte 22 vite përvojë dhe kishte fluturuar 8,200 orë.

Avioni arriti vetëm disa qindra metra lartësi kur fuqia u ndërpre, duke shkaktuar katastrofën më të rëndë ajrore për shtetasit britanikë që nga 11 shtatori 2001.

Pavarësisht se mbi 270 persona humbën jetën, piloti është vlerësuar për shpëtimin e “dhjetëra jetëve”.
Sipas banorëve të zonës, Sabharwal devijoi avionin në sekondën e fundit, për të shmangur një përplasje me një pallat 3-katësh.

Të gjitha 18 familjet që jetonin në atë pallat besojnë se ua kanë jetën borxh kapitenit.

Ai arriti të drejtonte avionin drejt një fushe me bar, duke shmangur një katastrofë edhe më të madhe.
Banorët vrapuan nga shtëpitë e tyre në Ahmedabad, ndërsa një top zjarri nga 90 ton karburant aviacioni shpërtheu në çastin e përplasjes.

Avioni shkatërroi dy katet e sipërme të një ndërtese ushtarake të braktisur me katër kate.
Por zjarri përfshiu konviktin e një kolegji, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra studentëve dhe punonjësve, të cilët po hanin drekë në mensë.

Top Channel