Ekskluzive/ Dëmshpërblimi për të pafajshmit! Tre mijë lekë për çdo ditë burg, gjyqtarët mendojnë se shuma është e padrejtë

18/06/2025 19:53

A dëmshpërblen shteti shqiptar sipas Kushtetutës çdo të burgosur që gjendet i pafajshëm nga drejtësia? Edhe gjyqtarët mendojnë se shuma prej 3 mijë lekësh për çdo ditë është e padrejtë dhe diskriminuese.

Kjo është padia e gjyqtarit Bevis Shehaj, i cili kërkon nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin si antikushtetues të ligjit “Për kompensimin e burgimit të padrejtë” për llogaritjen e ulët të dëmshpërblimit për paraburgimin, burgimin dhe arrestin shtëpiak, me shumat 3 mijë lekë, 2 mijë lekë dhe 1 mijë lekë.

Siç rezulton nga fashikulli që TCh e disponon, shkak është bërë padia e kompensimit të padrejtë e Erjon Demajt, që gjatë një procesi penal të tejzgjatur, gjatë të cilit u mbajt në paraburgim tre vjet më shumë sesa dënimi me 8 muaj burg dhënë nga gjykata.

Gjyqtari Shehaj i thotë Kushtetueses se kompensimi është joproporcional në raport me dëmin ekonomik dhe psikologjik që iu shkaktua të burgosurit, nëse mbahet parasysh edhe paga minimale e caktuar zyrtarisht prej 40 mijë lekësh në muaj.

Kjo padi e Bevis Shehajt, gjyqtar administrativ, vjen pak kohë pasi komuniteti i avokatëve ngriti shqetësimin për ndryshimin e kompensimit për të burgosurit. Dhe jo vetëm kur ata janë shpallur të pafajshëm, por edhe për rastet kur janë mbajtur më tepër në burg sesa dënimi i fajësisë.

Gjyqtari administrativ i Lushnjës kërkon kontroll incidental të ligjit shqiptar duke iu referuar edhe Gjykatës së Strasburgut. Ndërsa argumenton edhe për rastet e qytetarëve që kanë pagesa mbi minimumin jetik dhe që, mbasi janë gjetur të pafajshëm, shuma e kompensuar është e papërfillshme në raport me pagën që kishin.

“Individët me paga më të larta se ato mesatare, p.sh. individët me paga 1 500 euro apo 2 000 euro në muaj, rrezikojnë jo vetëm të mos marrin dëmshpërblimin për dëmin jopasuror, por edhe dëmshpërblimi për dëmin pasuror të jetë sa gjysma e dëmit real të shkaktuar,” shprehet gjyqtari.

Procesi do të mbahet i pezulluar derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet me një vendim për vlerën e kompensimit të të burgosurve.

Top Channel