
Pas dy aksidenteve të rënda në det, forcat policore dhe institucionet e përfshira kanë nisur kontrolle të imtësishme në të gjitha vendbazimet e mjeteve lundruese të argëtimit përgjatë bregdetit të Durrësit, me fokus dokumentacionin dhe respektimin e rregullave të sigurisë.
Task Forca Ndërinstitucionale për sezonin turistik, pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, që drejton këtë kontroll, ka identifikuar këto vendbazime si pika kritike për sigurinë e pushuesve.
“Këtë sezon, plazhet e Durrësit kanë 10 vendbazime të miratuara nga bashkia që ofrojnë motorë uji dhe mjete të tjera argëtimi. Për herë të parë, shërbimet janë zgjeruar edhe në Gjirin e Lalëzit dhe në Currila”, shprehet Oltsen Gripshi, Koordinator i Task Forcës Ndërinstitucionale Durrës.
Pas ngjarjeve të fundit, ku një turist britanik humbi jetën dhe një shtetas belg u plagos nga përdorimi i motorëve të ujit, në të dy rastet të dhëna me qira nga subjekte të licencuara por në shkelje të rregullave të sigurisë, Task Forca i bën apel pushuesve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën dhe rregullat në fuqi.
Kontrollet do të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë sezonit, jo vetëm në vendbazime, por edhe në funksionimin e kullave të vrojtimit dhe praninë e rojeve bregdetare. Këtë verë, në plazhet e Durrësit janë certifikuar 190 roje për të garantuar sigurinë përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Top Channel