
Teherani është shndërruar në një qytet fantazmë, me disa vdekje të raportuara nga sulmet izraelite.
Bombardimet vazhdojnë dhe tymi mund të shihet duke u ngritur në shumë vende. Qendra e qytetit po zbrazet. Shumë dyqane mbeten të mbyllura, përfshirë Pazarin e Madh të qytetit. Skena të tilla janë jashtëzakonisht të rralla, pasi më parë janë shfaqur vetëm gjatë protestave antiqeveritare ose në kulmin e pandemisë Covid-19.
Pamja është e ndryshme në pikat e karburantit dhe furrat e bukës, ku turma njerëzish presin me durim. Radhë të gjata vërehen edhe në pikat e karburantit në kryeqytetin iranian. Trafiku mbetet gjithashtu i rënduar në rrugët që të çojnë nga Teherani në perëndim, ndërsa disa duket se po shkojnë drejt rajonit Kaspik. Vala e ikjes është intensifikuar, pas mesazhit të Donald Trump drejtuar iranianëve për t’u larguar nga qyteti. “Të gjithë duhet të evakuohen menjëherë nga Teherani!” shkroi ai në Truth Social.
Autoritetet iraniane këmbëngulin se gjithçka është nën kontroll. Ndryshe nga Izraeli, Irani nuk ka paralajmërime për sulme të afërta, as strehimore për civilët e pambrojtur ku të gjejnë strehë.
Media shtetërore iraniane raportoi se tre persona u vranë dhe katër u plagosën në një sulm izraelit në një pikë kontrolli pranë qytetit qendror të Kasanit, pa specifikuar nëse ishin civilë apo ushtarë. Televizioni shtetëror IRIB, nga ana e tij, raportoi se tre persona u vranë në një sulm izraelit në selinë e tij në Teheran dje. “Tre punonjës të stacionit televiziv u vranë dhe të tjerë u plagosën në sulmin izraelit”, tha kanali të hënën.
“Nuk dua që Teherani im i bukur të bëhet Gaza”
Banorët e Teheranit po shprehin frikë, konfuzion, pafuqi dhe emocione kontradiktore.
“Nuk kemi fjetur”, i tha BBC-së një studente 21-vjeçare e muzikës, e cila nuk dëshiron të japë emrin e saj të vërtetë. Ajo refuzon të largohet nga qyteti dhe mbetet e bllokuar në një luftë midis një regjimi që e urren dhe Izraelit. “Nuk dua që Teherani im i bukur të bëhet Gaza”, tha ajo.
“Trishtim, frikë dhe keqardhje”
Një grua tjetër i tha BBC Persian se kur u informua për vdekjen e zyrtarëve të fuqishëm ushtarakë iranianë, u ndje e indinjuar, ndërsa imazhi i pushtetit të tyre u shemb. Por më pas mësoi se edhe njerëz të zakonshëm ishin vrarë. “Fillova të ndieja trishtim, frikë dhe keqardhje”, tha ajo.
Pastaj gruaja u ndje e zemëruar, ndërsa u informua se një fushë gazi natyror ishte goditur. Ajo kishte frikë se mos Izraeli po përpiqej ta shkatërronte Iranin, ndërsa për herë të parë filloi të përgatitej për vdekjen.
Sulmi i ka ndarë iranianët. Disa festojnë humbjet e pësuara nga regjimi, ndërsa të tjerë janë të zemëruar me ata që brohorasin për Izraelin. Shumë janë të pavendosur, pasi ndryshojnë vazhdimisht mendje për atë që besojnë.
Më shumë se 220 njerëz – shumë prej tyre gra dhe fëmijë – janë vrarë që nga e premtja, sipas autoriteteve iraniane.
Disa familje kanë arritur të shpëtojnë. Njërës prej tyre, iu deshën 14 orë për një udhëtim që normalisht zgjat vetëm tre. Kur arritën në destinacionin e tyre, u ndien me fat. Por të tjerë kanë dyshime nëse duhet të bëjnë diçka të ngjashme. «Rrugët janë të bllokuara. Është absurde të hipësh në makinë dhe të ngecësh në radhë të pafundme», thotë një banor, ndërsa të tjerë thonë se edhe nëse largohen nga kryeqyteti iranian, nuk kanë ku të shkojnë.
Top Channel