Tezat e provimit të matematikës janë publikuar në rrjetet sociale, kur ende nuk kanë kaluar as 30 minuta nga momenti kur maturantët u ulën në bankat e shkollave për të testuar njohuritë e tyre.

Ndërkohë, në një reagim Ministria e Arsimit dhe Sportit, u shpreh se provimi i matematikës vijon sipas standardeve të sigurisë.

“Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së Matematikës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin. Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendra provimi në të gjithë vendin testimi po vijon në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke u dhënë mundësi të 27 mijë maturantëve të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë në lëndën e Matematikës”.

Sipas MASH, publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.

“Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara”.

Publikimi i tezave të Maturës Shtetërore ndodh sa herë maturantë i nënshtrohen testimit.

Në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 27 mijë maturantë që do të zhvillojnë provimet për të vijuar më pas me aplikimin për në sistemin universitar.

Provimi i parë ishte ai i gjuhës së huaj, që u zhvillua në 3 qershor. Në 10 qershor, u zhvillua provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ndërkohë, maturantët do të mbyllin sezonin me provimin me zgjedhje në 24 qershor.

Top Channel