Hetimi për vdekjen e Matthew Perry/ Një nga mjekët pranon se i ka dhënë ketaminë, dalin përgjimet: Ai është idiot…

17/06/2025 07:32

Një mjek nga Kalifornia, i akuzuar për furnizimin e aktorit të njohur të serialit Friends, Matthew Perry, me ketaminë pak para vdekjes së tij, ka pranuar të deklarohet fajtor, njoftuan të hënën prokurorët federalë në SHBA.

Dr. Salvador Plasencia do të deklarohet fajtor për katër akuza për shpërndarje të ketaminës, një drogë e fuqishme anestetike që përdoret edhe për trajtimin e depresionit. Dënimi maksimal për këto akuza mund të arrijë deri në 40 vite burg. Pritet që ai të bëjë deklaratën zyrtare të fajësisë në javët në vijim.

Matthew Perry, i njohur për rolin e Chandler Bing në serialin Friends, u gjet i vdekur në vaskën me hidromasazh në shtëpinë e tij në Los Angeles në tetor 2023.  Megjithëse kishte folur hapur për betejën e tij me depresionin dhe varësinë, vdekja e 54-vjeçarit tronditi miliona fansa në mbarë botën.

Sipas mesazheve të publikuara nga një tjetër mjek i përfshirë në rast, Dr. Mark Chavez, i cili tashmë ka pranuar fajësinë, Dr. Plasencia e quante aktorin një “idiot” dhe pyeste sa para do të ishte i gatshëm të paguante për drogën.

Sipas dokumenteve të marrëveshjes së fajësisë, Dr. Plasencia i ka injektuar personalisht ketaminë aktorit Perry, si në shtëpinë e tij, ashtu edhe në parkingun e Akuariumit të Long Beach. Po ashtu, ai i mësoi asistentit të aktorit, i cili gjithashtu është i akuzuar, se si të përdorte drogën, dhe u shiste flakona shtesë për përdorim në shtëpi.

Prokurorët thonë se Plasencia është një nga pesë personat e akuzuar për krijimin e një rrjeti të paligjshëm mjekësh dhe shpërndarësish që i siguronin aktorit ketaminë në mënyrë të paligjshme. Aktori kishte receta të ligjshme për ketaminë për trajtimin e depresionit, por sipas hetimeve, ai kërkonte sasi më të mëdha sesa i ishin përshkruar.

Mes datave 30 shtator dhe 12 tetor 2023, Dr. Plasencia ka shitur gjithsej 20 flakona prej 5ml ketaminë (100mg/ml), një sasi më të vogël se një paketë e plotë me pastile ketamine dhe disa shiringa për Perry dhe asistentin e tij. Avokatët e Dr. Plasencia nuk kanë dhënë ende ndonjë koment publik për rastin.

Top Channel