
Pasditja e 19 qershorit do t’i gjejë një pjesë të deputetëve të rinj të ulur në “Akademinë Politike të PS”.
Romina Kuko bashkë drejtuese e kësaj akademie në një intervistë me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, jep detajet.
“Grupi Parlamentar i PS dalë nga zgjedhjet e 11 Majit është në pjesën dërrmuese të tij u rinovuar. Kemi 54 deputetë të rinj në këtë grup parlamentar nga të cilët në akademi do të trajnohen 39 ntë. Janë ata që nuk kanë mbajtur pozicione të larta zyrtare apo ministrore. Kjo është e rëndësishme për të patur një grup konsistent i cili njeh në radhë të parë pjesën institucionale të parlamentit, të funksionimit të gjithçkaje që ata do të angazhohen në jetën parlamentare. Besoj së është një nga kontributet e PS-s për ti aftësuar ata përpara se të futen në sallën e parlamentit“, u shpreh Kuko.
Por çfarë vlere të shtuar do të sjellë kjo akademi tek skuadra e re parlamentare e PS?
“Besoj se vlera e parë ka të bëjë me eksperiencën që ata e marrin në dorë të parë senatorët e PS ata që kanë shumë eksperiencë në jetën parlamentare, nga lektorët. Në të njëjtën kohë do të kenë një perspektivë shumë më të brendshme për sa i përket rolit të deputetit. Jo vetëm si ai individi që del e flet vetëm në publik por propozimin e ligjeve, marrëdhëniet ndërinstitucionale, rëndësinë që kanë këto ligje për qytetarët dhe gjithçka tjetër.
Gjatë 30 ditëve në akademi deputetët e rinj do të ndjekin pesë module“, shpjegon Kuko.
Roli Kushtetues i Deputetit, Marrëdhënia me elektoratin dhe etika e përfaqësimit është moduli i parë me lektorë Edi Ramën, Fatmir Xhafaj, Erion Braçen dhe Niko Peleshi.
Moduli i dytë i dedikohet Arkitekturës së Kuvendit dhe procesit legjislativ me lektorë Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka, Toni Gogu.
Marrëdhëniet Ndërinstitucionale dhe Ndërkombëtare janë përfshirë në modulin e tretë ku shpjegimet do të vinë nga Elisa Spiropali, Adea Pirdeni, Olta Xhaçka.
Ndërsa Taulant Balla, Endri Fuga, Eduard Shalsi do ti tregojnë deputetëve të rinj si të performojnë në komunikimin politik.
Ai që cilësohet si moduli më i rëndësishëm PS dhe vizioni 2030 do të sillet në Akademinë politike prej Milva Ekonomi, Bledi Çuçi, Evis Kushit.
Top Channel