Viktimat e para të raketave iraniane të lëshuara mbi Izraelin, nëna me dy vajzat dhe tre vëllezërit ukrainas

16/06/2025 12:03

Të parat që u vranë nga raketat iraniane në agim të së dielës ishin katër gra arabe: Manar Khatib, 45 vjeçe, dhe dy vajzat e saj, Shada 20 vjeçe dhe Hala 13 vjeçe, së bashku me një tjetër të afërt gjithashtu me emrin Manar Khatib. Goditja ra në shtëpinë e tyre me tre kate në Tamra, në lindje të Haifas, ndërsa ishte ende errësirë.

Një familje e tërë u shkatërrua, me fytyra të buzëqeshura në një foto gjatë një pushimi në Alto Adige, e postuar në Facebook nga disidenti palestinez me shtetësi amerikane, Ahmed Fouad Alkhatib, kritik i gjatë i Hamasit dhe Iranit. Një imazh ku ata duken të lumtur gjatë një shëtitjeje me pas tyre malin Sciliar.

“Kam humbur lulet më të bukura të jetës sime,” tha për rrjetin Ynet Raja Khatib, avokat i formuar, babai i dy vajzave dhe bashkëshorti i Manarit, e cila ishte mësuese. “Arrita të shpëtoj vetëm Razan, vajzën time të fundit.” Shada, vajza e dytë, ishte në vitin e dytë të Jurisprudencës në universitetin e Haifas dhe punonte në Klinikën për të Drejtat e Njeriut.

Bulldozerët po gërmojnë mes rrënojave duke kërkuar për të mbijetuar. Nuk është rasti i Wahid Yassin, 13 vjeç. Një fqinj tha në radion ushtarake se shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që pothuajse i shkëputi derën e strehës. Kur doli jashtë, tregoi se pa vajzën e fundit të familjes Khatib, fqinjët e tij, në këmbë mbi çati, në gjendje shoku: “Dy motrat dhe nëna e saj ishin vrarë, dhe ajo ishte aty vetëm, duke u dridhur.”

Në Tamra, një qytet arab-izraelit në Galilen e Lartë, “jetojnë 37 mijë banorë, pa strehë publike. Çmimi i rëndë i papërkujdesjes, po ashtu si i luftës, tani është përpara syve tanë,” denoncon kryetari i partisë Hadash-Ta’al, Ayman Odeh në X (Twitter) pas një vizite në vendin e tragjedisë. Një video që qarkulloi në rrjetet sociale të shtunën në mbrëmje tregon një familje hebreje që feston për sulmet në Tamra duke thënë “fshati yt të digjet”. Veprimi shkaktoi reagime të ashpra. Por Ron Shani, kreu i komunitetit të Mitzpe Aviv ku video thuhet se u filmua, shkroi në Facebook: “Nuk u filmua këtu, ne nuk kemi ndërtesa të larta si ajo në video, dhe madje kam folur me kryetarin e Tamrës për t’i shprehur ngushëllimet dhe ndihmën tonë.” Presidenti izraelit Isaac Herzog thekson se “raketat nuk bëjnë dallim mes hebrenjve, myslimanëve, të krishterëve apo pjesëve të tjera të mozaikut të mrekullueshëm izraelit.”

Janë 13 të vrarë në sulmet e kryera nga Teherani. Por ky numër pritet të rritet. Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe dyshohet se shtatë janë të bllokuar nën rrënoja në Bat Yam që nga nata e të shtunës, në sulmin e dytë. Midis viktimave janë pesë persona me shtetësi ukrainase, përfshirë tre vëllezër shumë të rinj: një vajzë 8 vjeçe, një djalë 10 vjeç dhe një 18-vjeçar (emrat nuk ishin publikuar akoma dje në mbrëmje). Mbi 100 janë të plagosur.

Gjithashtu dje në mbrëmje u shtua në listën e viktimave emri i Efrat Saranga, 44 vjeçe. Ka edhe të moshuar: Yevgenia Blinder 60 vjeçe, Eti Cohen Engel 74 vjeçe dhe Yisrael Aloni 73 vjeç. Ky i fundit, baba i tre fëmijëve dhe gjysh i një nipi 11 vjeç, u godit nga një shpërthim i fuqishëm të shtunën në mëngjes në Rishon Lezion, në jug të Tel Avivit. Djali i tij, Eran, tregoi për Kan News se babai ishte vetëm në apartamentin në katin e nëndheshëm, ku nuk kishte hapësira të mbrojtura. I plagosur rëndë nga copa guri, u dërgua urgjentisht në Qendrën Mjekësore Assaf Harofeh, ku nuk mundën t’i shpëtonin jetën.

Në anën tjetër të murit të Alonit, raketa vrau Yevgenia Blinder, e cila punonte si kujdestare në shtëpinë ngjitur. Eti Cohen Engel vdiq në të njëjtin sulm në Ramat Gan; njëra nga katër vajzat e saj, Nurit, tha për median izraelite se “ishte një nënë shumë e bukur me një buzëqeshje të ngulitur në fytyrë.” Partneri i saj po lufton për jetën në spital, i lidhur me një aparat frymëmarrjeje.

Kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë. Ribat Vaknin shpjegon për Channel 12 se babai nuk arriti në kohë në një strehë. “Goditja e valës së shpërthimit ishte e jashtëzakonshme. Vëllai im u plagos, ashtu si edhe qeni im. Tani po kërkojnë babanë tim.”

Top Channel